Lajme

Ekskluzive: Këta janë 4 hapat e implementimit të marrëveshjes, duhet të përfundojnë deri në vjeshtë – ndryshe “pasojat do të jenë të menjëhershme”


Foto nga Albanian Post

Kosova duhet ta prezantojë Statutin e Asociacionit, ta tregojë modelin e mekanizimit i cili do të ketë brenda edhe menaxhimin e shkollave dhe sistemit shëndetësor të serbëve, në të njëjtën kohë ta rregullojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe duke nënshkruar marrëveshje të veçanta me bashkësitë fetare në Kosovë, derisa Serbia duhet ta zbatojë nenin 1 Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve, të zotohet konkretisht për zbatimin e nenit 4 dhe bashkë me Kosovën të përfshihen në zbatimin e nenit 6 të Marrëveshjes.

Gjithçka është paraparë të realizohet me një gradacion prej 4 hapash.

“Tre hapat e parë, konsiderohet që duhet të zbatohen deri në vjeshtën e vitit 2023”, thonë burimet që ia kanë prezantuar Albanian Post-it hartën e përcaktuar të operimit.

Sipas burimeve të Albanian Post, të mirinformuara për dinamikat e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, zyrtarë të ndryshëm të shteteve të fuqishme perëndimore tashmë kanë ndarë detyrat dhe, në sinkron, “janë duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm ndaj të dyja palëve”.

Presioni ndaj Prishtinës është përqendruar në nevojën që Kosova të bëhet pjesë e bisedimeve përmbajtjesore rreth Asociacionit, por jo duke dhënë vetëm vërejtjet dhe mospajtimet e veta, por edhe propozimin e saj konkret mbi atë si duhet të jetë Asociacioni.

“Ndërkombëtarët nuk mjaftohen me letra ide, apo memorandume të tipit vizion mbi çështjen, por ata duan një dokument Statut që do të qëndronte përballë dokument Statutit të përgatitur nga Beogradi”, i ka thënë burimi Albanian Post-it.

Ndërsa, presioni ndaj Beogradit është përqendruar në atë që mund të cilësohet si disiplinim i autoriteteve atje, “një rikujtim i fuqishëm se Beogradi duhet të sillet brenda frymës së marrëveshjes”.

Kërkesa ndërkombëtare për Beogradin “është e natyrës specifike: rikthim të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës dhe pajtim për nisje simbolike të zbatimit të marrëveshjes bazë”.

Sipas po të njëjtave burime, marrëveshja bazë ka disa pika kritike të cilat duhet të adresohen me urgjencë, për të mos lejuar bllokim të procesit.

“Për Serbinë: neni 1, njohja e dyanshme e të gjitha dokumenteve, neni 4, mos pengimi i Kosovës në rrugëtimin e saj ndërkombëtar, dhe neni 8, funksionalizimi i legatave ndërlidhëse apo misioneve të përhershme”, ndërsa “për Kosovën: neni 7, që në vetvete përmbledh edhe nenin 9. Pra, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe rregullimi i pozitës juridike të Kishës Ortodokse Serbe”.

Në pikat e mësipërme, neni 1 vlerësohet si më i lehti për t’u zbatuar, sepse pjesa më e madhe e gjërave të përfshira në këtë nen tashmë janë dakorduar në procesin e Berlinit.

Për kujtesë, neni 1 i marrëveshjes thotë se “Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta” dhe se “të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”.

Sipas ndërkombëtarëve, zbatimi i këtij neni nuk do të duhej të ishte ndonjë problem i madh.

Sekuencimi në 4 hapa, sipas planit aktual

Hapi i parë, thonë burimet, “Kosova përfshihet seriozisht në procesin e themelimit të Asociacionit”.

Kjo përfshirje serioze nënkupton heqjen e çdo dileme nëse do të të ketë apo nuk do të ketë Asociacion.

Të njëjtat burime shtojnë se ky më nuk duhet të jetë debat në sferën publike në Kosovë.

“Asociacion ka, çështja është vetëm çfarë do të jetë”, duhet të jetë tema.

“Në kundërpeshë të përfshirjes së Kosovës në procesin e themelimit të Asociacionit, Serbia pajtohet për zbatimin e nenit 1. Zbatimi i nenit 1 po vlerësohet si i domosdoshëm për nisjen simbolike të procesit të zbatimit dhe krijimit të një klime pune e mirëbesimi në mes të palëve”.

Kurse në hapin e dytë “Kosova pajtohet për një model të caktuar të Asociacionit”, dhe “brenda zgjidhjes për Asociacionit duhet të jetë i përfshirë edhe mekanizmi i menaxhimit të shkollave serbe dhe sistemit shëndetësor të serbëve të Kosovës, që aktualisht veprojnë dhe funksionojnë jashtë kornizës institucionale të Kosovës”.

Si kundërpeshë e kësaj, “Beogradi zotohet për zbatimin e nenit 4”, i cili thotë se as Kosova dhe as Serbia nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj, por më e rëndësishmja, “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

“Theksi këtu bie sidomos te mos pengimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës vlerësohet si esencial për zbatimin e marrëveshjes, sepse bashkë më anëtarësimin, për Kosovën, vinë edhe një seri obligimesh konkrete.

Në hapin e tretë, “Kosova rregullon statusin juridik të bashkësive fetare të Kosovës, përfshirë edhe të Kishës Ortodokse Serbe”.

“Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje të veçanta me të tre bashkësitë fetare tradicionale, përfshirë edhe Kishën Ortdokse Serbe, ku ua njeh veçantinë e pranisë historike, si bashkësi fetare të pranishme në Kosovë ndër shekuj”, thonë burimet.

Në anën tjetër, “Serbia pajtohet për zbatimin e nenit 8, pra funksionalizimit të legatave të përhershme, që vlerësohet si pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes”.

Hapi i katërt dhe i fundit parasheh që “Kosova dhe Serbia, në mirëbesim të plotë, nisin diskutime serioze për të zbatuar nenin 6”.

Kjo nënkupton arritjen e një seri marrëveshjesh të ndryshme të natyrës praktike dhe teknike.

Tre hapat e parë, konsiderohet që duhet të zbatohen “deri në vjeshtën e vitit 2023”.

Burimet e AP-së, shprehin shqetësimin që në “Prishtina po flirtohet me idenë që të blihet kohë, pra që Kosova të mos angazhohet seriozisht me shpresën që Serbia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

Ndërkombëtarët, sidomos miqtë e Kosovës, janë të shqetësuar me këtë logjikë të të menduarit të Qeverisë Kurti.

Të njëjtat burime bëjnë të qartë se “ka apo nuk ka zgjedhje të parakohshme në Serbi është tërësisht e parëndësishme”.

Sipas tyre, të dyja palët tashmë janë pajtuar me marrëveshjen bazë dhe se kjo marrëveshje tashmë është detyrim që nuk mund të anashkalohet.

Për më tepër, është kodifikuar si kusht esencial për rrugën evropianë të të dyja palëve.

Burimet e AP-së thonë edhe se nëse komunitetit ndërkombëtar vjen në përfundime konkrete për destruktivitetin e qëllimshëm të ndonjërës palë, “pasojat do të jenë të menjëhershme”, proporcionalisht me sjelljen jokonstruktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore