Ekskluzive: Donika Gërvalla viziton kompaninë “Compact Group”, pasi Liburn Aliu e Naser Hafizi ia falën kundërligjshëm mbi 3.6 milionë eurove
Lirim Mehmetaj
22.04.2024 12:26Me 17 nëntor të vitit 2022, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, përmes një procesi krejtësisht jashtëligjor ia kishin falur kompanisë “Compact Group” plotë 3 milionë e 616 mijë e 812 euro e 02 centë.
Kjo kompani, që është edhe prodhuese e ujit të ambalazhuar “DEA”, nga koha kur kishte marrë lejen e deri në vitin 2022 po operonte pa paguar taksën ligjore për shfrytëzimin e ujitë nëntokësor të Kosovës dhe kishte grumbulluar borxhin prej më shumë se 3.6 milionëve.
Por, përmes një procedure mashtrimi, Aliu dhe Hafizi kishin marrë vendim që borxhin milionësh kësaj kompanie t’ia mbyllin për një pagesë prej vetëm 41 mijë e 443 euro e 60 centë, duke i shkaktuar buxhetit humbje totale prej 3 milionë e 575 mijë e 369 euro.
Albanian Post ka siguruar të gjithë dokumentacionin që dëshmon faljen ilegale të borxhit dhe dëmtimin e buxhetit.
Pas kësaj falje, të shtunën e 20 prillit të këtij viti, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, vizitoi pikërisht këtë kompani që Aliu e Hafizi ia falën borxhin.
Madje, Gërvalla thur lavde për kompaninë dhe produktin e tyre, ujin e ambalazhuar “DEA”.
Gërvalla, e njoftuar se si ju falën borxhet kësaj kompania, prapë shkruan në Facebook se është bërë progres i madh “në fushën e demokratizimit, sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike, së bashku me angazhimin tonë për një mjedis më të sigurt dhe më të përshtatshëm për bizneset tona”.
“Në Gjilan, vizitova kompaninë e ujit ‘DEA Group’. Diskutuam rreth sfidave të tyre dhe mundësive të mëdha për promovim dhe bashkëpunimin me bizneset e mërgatës”, shkroi ajo pas vizitës në kompaninë që shfrytëzon kundërligjshëm burimet ujore të Kosovës.
Si ndodhi falja ilegale e borxhit për “Compat Group”?
Kompania Compact Group” kishte marrë lejen në vitin 2010.
Sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ, për shfrytëzimin e resurseve ujore të Kosovës, kjo kompani, si edhe të tjerat, duhej të paguante 0.009 cent për litër të nxjerr deri në vitin 2016 dhe më pas 0.001 cent me ndryshimet e fundit.
Kjo kompani nuk kishte paguar asnjëherë shtetin, ashtu siç e përcaktonte ligji, prandaj sipas nenit 9 të Udhëzimit Administrativ, ministria detyrohej t’ia mblidhte borxhin, duke përllogaritur shpenzimin maksimal përkitazi me lejen ujore të kompanisë.
Siç e cekë neni 9 i udhëzimit administrativ: “Nëse detyruesi nuk mban evidencë dhe nuk e bënë raportimin, ose bënë raportimin me dhëna të dyshimta dhe të pasakta, deri me 15 janar për vitin paraprak, Ministria në afat prej tridhjetë (30) ditësh i lëshon vendimin dhe faturën duke llogaritur në bazë të të dhënave nga dokumentacioni teknikoinvestiv për sasinë maksimale” të shfrytëzimit.
Grupi Punues brenda ministrisë e kishte bërë këtë përllogaritje dhe dilte se kjo kompani nga marrja e lejes e deri në vitin 2016 kishte grumbulluar borxh ndaj shtetit prej 3 milionë e 159 mijë eurove dhe nga viti 2016 deri në vitin 2021 18 mijë e 954 euro.
Hafizi, si zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, krejt çfarë duhej të bënte ishte dërgimi i faturës për kompaninë dhe obligimi që të paguante, përndryshe do të duhej të bëhej konfiskimi i lejes dhe pamundësimi i vazhdimisht të punës në kushte ilegale.
Megjithatë, siç tregojnë dokumentet, Hafizi, nën dijeninë e Aliut, në vend se të respektojë ligjin dhe meqë kompania kishte dështuar të raportonte për më shumë se një dekadë, t’ia dërgonin faturën me detyrimin për shlyerjen e borxhit, siç e thotë udhëzimi administrativ, ata vendosin të nxjerrin një dokument të kundërligjshëm dhe vetëm ta njoftojnë këtë kompani për “detyrimin financiar” që e ka.
Në këtë “njoftim/vendim preliminar” që mban datën e 22 marsit 2022, nënshkruar nga Hafizi, i thuhet kompanisë se ke obligim për të paguar shumën prej 3 milionë e 616 mijë e 812 euro e 02 centë.
Siç kuptohet më vonë, kjo ishte vetëm një metodë e Aliut dhe Hafizit për t’u futur në pazare me kompaninë “Compat Group”.
Kështu, siç shpalosin dokumentet, borxhi prej 3 milionë e 616 mijë e 812 eurove, përfundon duke u shlyer me vetëm 41 mijë e 443 euro.
Vendimi i datës 17 nëntor 2022, i lëshuar nga Naser Hafizi, tregon se kompanisë i mundësohet që të paguajë vetëm 41 mijë euro dhe i numërohet borxhi vetëm për vitet 2018-2021.
Në këtë rast nga Aliu dhe Hafizi avullohen 3 milionë e 575 mijë e 369 euro.
Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit
Ky është vetëm një rast nga gjithsejtë 27 kompani të tilla që kanë borxhe milionëshe, por Aliu e Hafizi vendosën të futen në kalkulime personale për të shkaktuar humbje që sipas të dhënave fillestare janë mbi 90 milionë euro.
Për gjithë këtë parregullsi ishte njoftuar me 12 dhjetor të vitit 2022 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Zotëri Kryeministër, duke ju kërkuar shumë falje në një situatë ku Kosova po ballafaqohet me agresorin serb, detyrohem të ju shkruaj për një çështje e cila vërtet kërkon Vëmendjen Tuaj” i ishte thënë Kurtit në e-mailin që e ka siguruar Albanian Post, nga një sinjalizues që e kishte kuptuar çfarë po bënin Aliu dhe Hafizi.
Më pas i ishte shpjeguar çështja në detaje dhe vjedhjet që po ndodhnin në ministri.
Kurti nuk ishte përgjigjur fare dhe s’kishte vendosur të merrej me këtë punë, përkundër njoftimit.
Madje, sinjalizuesit që e kishte njoftuar Kurtin i kishte dalë problem në vendin e punës dhe vetëm dy ditë pasi kishte dërguar mesazhin te kryeministri, ishte dërguar në një komision disiplinor për t’ia ndërruar pozitën.
Albanian Post ka kontaktuar me Hafizin, por ai ka refuzuar të përgjigjet.
Njëherë ka deklaruar se nuk mund të flas pasi “aktualisht jam jashtë Kosovës”.
Më pas ka kërkuar që “mos të botohet asgjë pa përgjigjet zyrtare që do t’i dërgojmë përmes pyetjeve të juaja”.