Financa

Ekonomia turke ka kaluar ‘më të keqen’, thotë aleati i Erdoganit


Turqia ka kaluar “hiperinflacionin” dhe pjesën “më të keqe” të krizës së saj ekonomike.

Kështu ka thënë një nga sipërmarrësit më të shquar të vendit, në shenjë të besimit të qarqeve të biznesit se zhvendosja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan nga politikat ekonomike jokonvencionale do të vazhdojë.

Erman Ilıcak, themeluesi miliarder i grupit të ndërtimit Rönesans Holding, është “shumë optimist” për rishikimin e zbatuar nga ministri i Financave Mehmet Shimşek, ish-strategu i obligacioneve Merrill Lynch i emëruar pas rizgjedhjes së Erdoganit në maj.

“Kemi kaluar kohë shumë të vështira në Turqi”, ka theksuar Ilıcak për Financial Times.

Miliarderi, i cili është aleat i Erdoganit, ka përmendur hiperinflacionin, tërmetin shkatërrues të shkurtit dhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Sipas tij, vendi sapo ka filluar të rritet”dhe do të fillojë të prodhojë përsëri më shumë.

Komentet optimiste vijnë pasi Shimşek ka filluar të ndryshojë shumë nga politikat e zbatuara nga Erdogan në vitet e fundit.

Një përzierje e shpenzimeve të larta publike përpara zgjedhjeve të këtij viti dhe normave të ulëta të interesit e ka çuar inflacionin në më shumë se 85 për qind në vitin 2022.

Ndërkohë, investitorët janë skeptikë për sa i përket jetëgjatësisë dhe përfitimeve të politikave të reja të ministrit të Financave.

Banka qendrore ka dyfishuar normat e interesit gjatë dy muajve të fundit, taksat e naftës janë trefishuar dhe lira është lejuar të zhvlerësohet ndjeshëm – masa që do të shkaktojnë më shumë probleme afatshkurtra për konsumatorët dhe bizneset.

Rönesans është ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit të Turqisë dhe ka zhvilluar shumë projekte të mëdha shtetërore, duke përfshirë pallatin presidencial me 1 mijë dhoma të Erdoganit dhe një projekt hekurudhor me shpejtësi të lartë që është duke u zhvilluar në Turqinë jugore.

Grupi, i cili gjeneroi rreth 3 miliardë euro të ardhura vitin e kaluar, ka gjithashtu operacione të rëndësishme jashtë vendit, duke përfshirë lidhje të thella me Rusinë, ku Ilıcak bëri pasurinë e tij.

Ilıcak ka thënë se ngrohja e fundit e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite ishte gjithashtu rëndësishme për komunitetin e biznesit.

Dy vendet e Gjirit të pasura me naftë u angazhuan për të bërë investime të reja në Turqi pasi Erdogan udhëtoi atje javën e kaluar.

“Vendosja e marrëdhënieve, përafrimi i interesave tona ,çon gjithmonë në përfitime nga ana ekonomike”, ka vijuar Ilıcak.

Ai pret që fondi i pasurisë sovrane të Abu Dhabit ADQ së shpejti do të fillojë të kërkojë për partneritete turke.

Po ashtu Ilıcak ka shpresë për krijimin e aleancave me kompanitë perëndimore.

Turqia, e cila është shumë e varur nga nafta dhe gazi i importuar për të ushqyer ekonominë e saj prej 900 miliardë dollarësh, ka kërkuar vitet e fundit të diversifikojë përzierjen e saj të energjisë.

Burimet e rinovueshme përbënin rreth 42 për qind të prodhimit total të energjisë në vitin 2020, por Ankaraja shpreson ta rrisë atë proporcion në 55 për qind deri në vitin 2035, sipas strategjisë së saj të energjisë për vitin 2022.

Turqia po zhvillon gjithashtu një projekt të madh gazi në Detin e Zi dhe Rusia po ndërton termocentralin e parë bërthamor të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore