Shqipëria

Ekonomia shqiptare u ngadalësua në gjysmën e vitit 2023


Ekonomia shqiptare është rritur me ritme të ngadalta në 2023, pavarësisht përshpejtimit në gjysmën e dytë të vitit.

Kështu bëhet me dije në raportin e Institutit të Statistikave, INSTAT në vlerësimin e tremujorit të katërt.

INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2023, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3,44% krahasuar me vitin 2022.

Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85%, rritja është 1.42 pikë përqindje më e ulët.

Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes në 2023, ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative. Ndërkohë, konsumi nuk u nxit nga viti më i mirë turistik historik, ku vendin e vizituan mbi 10 milionë shtetas të huaj.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% në 2023, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë. Madje në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin).

Ekonomia ka shfaqur shenja përshpejtimi në tremujorin e katërt të vitit duke u rritur me 3.8% me bazë vjetore, sipas të dhënave të INSTAT.

Në kahun tjetër, konsumi, një element i rëndësishëm i ndikimit në ekonomi është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e katërt, duke reflektuar efektet e emigracionit, si dhe shpërndarjen e pabarabartë të rritjes ekonomike.

Konsumi u rrit me vetëm 1.55% në tremujorin e katërt, nga 2.22% në të tretin, duke qenë në nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Ndërkohë, INSTAT ka rishikuar në rritje edhe  treguesin e rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, nga 3.46 që ishte në publikimin e mëparshëm, në 3.83% në raportin e fundit. ndërsa tremujori i dytë është rishikuar në ulje, në 3.29, nga 3.38 në publikimin e mëparshëm.

Sipas INSTAT, në rritjen e tremujorit të katërt kanë ndikuar ndërtimi dhe administrata publike.

Bizneset dhe konsumatorët janë shprehur optimistë për pritshmëritë në rritje të ekonomisë gjatë muajit mars.

Banka e Shqipërisë publikoi rezultatet e Vrojtimit mbi Treguesit e ndjesisë ekonomike (TNE) që shënoi rritje me 2.5 pikë në muajin mars. Rritja e TNE-së këtë muaj u ndikua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, të tregtisë, të shërbimeve si dhe rritja e besimit konsumator.

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e ndërtimit shënoi rënie në mars, pas rritjes që regjistroi dy muajt e mëparshëm.

Sipas BSH-së, treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 3.6 %. Niveli i tij qëndron aktualisht 3.5 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rritja e TBI-së këtë muaj u ndikua nga vlerësimet e rritura të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore