Lajme

Ekonomia e Kinës me 8% rritje në vitin 2021, por kërcënimet po afrohen


Në Kinë, ekonomia është zgjeruar me ritmin më të shpejtë për 10 vjet në 2021-shin, por rimëkëmbja e fortë nga pandemia COVID-19 kërcënohet nga Omicron-i dhe ngadalësimi i sektorit të pronave.

Rritja prej tetë për qind e ka kapërcyer objektivin e qeverisë për m[ shumë se gjashtë për qind dhe vjen pas fillimit të fortë të vitit prapa politikës “zero-COVID”.

Kjo e fundit i ka lejuar vendit të udhëheqë rimëkëmbjen ekonomike globale, tregon faqja “Yahoo News”.

Vitin e kaluar, eksportet e Kinës pësuan një rritje me afro 30 për qind për shkak të kërkesës së fortë globale teksa vendet u rihapën nga bllokimet pandemike.

Mirëpo, rimëkëmbja në gjysmën e dytë të vitit 2021 u pengua nga një sërë shpërthimesh, si dhe ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga një përpjekje për uljen e emetimeve, problemet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e kostove të energjisë.

Paçka se rritja vjetore konsiderohet e shëndetshme, këto çështje vunë një pengesë në aktivitetin e fabrikës dhe çuan në mbylljen e bizneseve.

Dhe gjithashtu u ndërlikuan nga një goditje e borxhit në sektorin e pronave, i cili përbën një pjesë të madhe të ekonomisë.

“Faktorët kryesorë ishin ndikimi i mungesës së energjisë, ngadalësimi i sektorit të ndërtimit të banesave dhe moderimi i shitjeve me pakicë”, ka thënë ekonomisti Rajiv Biswas.

Pekin-i ka qenë në gatishmëri të lartë teksa përgatitet të presë Lojërat Olimpike Dimërore muajin e ardhshëm, me politikën “zero-COVID” që fuqizon bllokimet, kufizimet kufitare dhe karantinat e gjata.

“Ringjallja aktuale e coronavirus-it paraqet rreziqe të mëdha për rimëkëmbjen ekonomike të Kinës… mes qasjes së qeverisë me tolerancë zero”, ka thënë ekonomisti Raymond Yeung.

Yeung ka dalluar se porti Ningbo, i treti më i ngarkuar në botë, u përball me ndërprerje pasi rastet çuan në kufizime për hyrjen e kamionëve, pezullimin e operacioneve të transportit të mallrave me kontejnerë dhe bllokime rrugësh.

“Këto vonesa dhe ngecje mund të përkeqësojnë inflacionin në kostot e transportit, si dhe të ushtrojnë presion mbi vëllimet e eksporteve”, ka vijuar ai.

Nga ana tjetër, analistët presin që Kina të mos t’i lehtësojë politikat kufizuese deri pas përfundimit të lojërave.

Kurse pasiguritë rreth sektorit të pronave kanë përshpejtuar ftohjen në investimet e aktiveve fikse.

Tashmë, dy të tretat e 30 firmave kryesore të pronave sipas shitjeve kanë shkelur një nga “tre vijat e kuqe” të vendosura nga rregullatorët, kanë treguar analistët Nathan Chow dhe Eugene Leow, duke iu referuar raporteve të borxhit.

Kufizimet që nisën në fund të vitit 2020 dhanë një goditje të rëndë pasi zhvilluesit u zhytën në kriza likuiditeti mes shqetësimeve për investitorët dhe blerësit e shtëpive.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore