Financa

Ekonomia e Indisë tejkalon pritshmëritë me një rritje prej 8.4%


India ka ruajtur titullin e ekonomisë kryesore me rritje më të shpejtë në botë.

Ekonomia e vendit është zgjeruar me 8.4 për qind në tre muajt e fundit të vitit 2023, nga një vit më parë.

Të dhënat vijnë pasi vendi do të mbajë zgjedhje të përgjithshme këtë vit.

Kryeministri Narendra Modi postoi në platformën e mediave sociale X, se kjo rritje tregon “fuqinë e ekonomisë indiane dhe potencialin e saj”.

India parashikohet të kapërcejë Japoninë dhe Gjermaninë si ekonomia e tretë më e madhe në botë në vitet e ardhshme.

Rritja më e mirë se sa pritej u udhëhoq nga një ecuri e fortë e prodhuesve të vendit, ku sektori u zgjerua me 11.6 për qind.

Konsumi privat, i cili përbën pothuajse dy të tretat e produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit, gjithashtu u rrit me 3.5 për qind.

Vitin e kaluar, fuqia shpenzuese e njerëzve u ndikua për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve bazë.

Çka bëri që qeveria të prezantojë një sërë masash për të ndihmuar në frenimin e inflacionit të çmimeve të ushqimeve.

Në vitet e fundit, kryeministri Modi ka rritur shpenzimet e qeverisë për infrastrukturën dhe ka ofruar stimuj për të nxitur prodhimin e telefonave, elektronikës, dronëve dhe gjysmëpërçuesve për të ndihmuar Indinë të konkurrojë në tregun ndërkombëtar.

Qeveria së fundmi i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të tre fabrikave gjysmëpërçuese me vlerë 15.2 miliardë dollarë nga firmat, përfshirë konglomeratin indian Tata.

Por sektori i bujqësisë, i cili përbën rreth 15 për qind të ekonomisë prej 3,7 trilion dollarësh, vazhdoi të luftojë.

Disa fermerë kanë protestuar për të kërkuar çmime minimale të të korrave.

Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që ekonomia e Indisë të zgjerohet me 6.5 për qind në vitin 2024, krahasuar me 4.6 për qind për Kinën.

Pekini është nën presion në rritje për të zbuluar masa stimuluese për të mbështetur ekonominë e dytë më të madhe në botë, e cila po përballet me një sërë sfidash.

Në të përfshihet një krizë e tregut të pronave, papunësia e lartë e të rinjve dhe deflacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore