Financa

Ekonomia e eurozonës në prag të recesionit, tkurret me 0.1%


Eurozona është në prag të një recesioni dimëror.

Kjo pasi shifrat e fundit zyrtare kanë treguar se ekonomia e eurozonës u tkurr me 0.1 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023.

Duket se ka dështuar të rritet në tre nga katër tremujorët e fundit, duke e lënë ekonominë vetëm 0.1 për qind më të lartë se sa ishte një vit më parë.

Sondazhet e biznesit kanë treguar për dobësi të mëtejshme në muajt në vijim, pavarësisht nga një rënie e mprehtë e normës vjetore të inflacionit të eurozonës nga 4.3 për qind në shtator në 2.9 për qind në tetor.

Një recesion përkufizohet si dy tremujorë të njëpasnjëshëm të rënies së aktivitetit të matur nga produkti i brendshëm bruto.

Normat më të larta të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, ndikimi zbutës i inflacionit në fuqinë e shpenzimeve konsumatore dhe dobësia e eksporteve si rezultat i një ngadalësimi të ekonomisë globale kanë çuar në rrafshimin e eurozonës vitin e kaluar.

Ekonomia e gjerë e BE-së u rrit me 0.1 për qind në tremujorin e tretë dhe ishte gjithashtu 0.1% më e madhe se në periudhën korrik-shtator 2022.

Nga katër ekonomitë më të mëdha të zonës, Gjermania u tkurr me 0.1 për qind, Franca u rrit me 0.1 për qind dhe Italia mbeti e pandryshuar.

Kurse Spanja u rrit me 0.3 për qind.

Sakaq, Irlanda pësoi tkurrjen më të madhe (-1.8%), ndërsa Letonia (+0.6%) dhe Belgjika (0.5%) shënuan rritjen më të fortë.

Duke përjashtuar tkurrjen e mprehtë tremujore në Irlandë, PBB-ja e eurozonës mbeti e pandryshuar.

Ekonomisti Bert Colijn ka thënë se “një rënie e PBB-së së eurozonës mban një recesion të vogël teknik në gjysmën e dytë të vitit 2023, një perspektivë realiste”.

“Me rënien e inflacionit më shpejt se sa pritej, debati brenda këshillit drejtues të Bankës Qendrore Evropiane do të bëhet më i ashpër, por mos prisni ulje të normave së shpejti”, ka shtuar ai.

Rënia më e mprehtë nga sa pritej në normën vjetore të inflacionit të eurozonës ishte kryesisht rezultat i lëvizjeve në çmimet e ushqimeve dhe energjisë.

Inflacioni bazë – i cili përjashton ushqimin dhe energjinë – ra nga 4.5 për qind në 4.2 për qind.

Për analistët, Banka – e cila ka rritur normat e interesit me një total prej 4.5 pikë përqindjeje që nga vera e vitit 2022 – ka të ngjarë të mbajë në pritje kostot e huamarrjes pavarësisht rënies së fundit të normës së inflacionit në eurozonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore