Financa

Ekonomia britanike i rikthehet rritjes në fillim të vitit 2024


Ekonomia britanike iu rikthye rritjes në fillim të vitit 2024, duke i ofruar njëfarë lehtësimi kryeministrit Rishi Sunak përpara zgjedhjeve që priten këtë vit.

Kjo pasi vendi hyri në një recesion të cekët në gjysmën e dytë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare.

Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.2% nga muaji në muaj në janar – nxitur nga një rikthim në shitjen me pakicë dhe ndërtimin e shtëpive – pas një rënie prej 0.1% në dhjetor.

“Ekonomia u rrit në janar me rritje të fortë në shitjen me pakicë dhe shumicë. Ndërtimi gjithashtu performoi mirë me ndërtuesit e shtëpive që kaluan një muaj të mirë, duke qenë të ndrydhur për pjesën më të madhe të vitit të kaluar”, ka thënë Liz McKeown, statisticiane në Zyrën për Statistikat Kombëtare.

Por është shumë herët për të ditur nëse ekonomia nuk është më në recesion.

Produkti i Brendshëm Bruto u tkurr me 0.3% në tremujorin e fundit të vitit 2023 dhe 0.1% në tremujorin e mëparshëm – duke përmbushur përkufizimin teknik të recesionit të përdorur gjerësisht në Evropë.

Ekonomia e Britanisë së Madhe ka qenë shumë e ngadaltë që nga rimëkëmbja fillestare nga pandemia, e rrethuar nga një rritje e kostos së importeve të energjisë nga pushtimi rus i Ukrainës dhe nga normat e larta të interesit të Bankës së Anglisë.

Të dhënat e së mërkurës treguan se PBB-ja në janar ishte 0.3% më e ulët se një vit më parë dhe u tkurr me 0.1% në tre muajt deri në janar, të dyja në përputhje me parashikimet e ekonomistëve.

“Teksa vitet e fundit kanë qenë të vështira, shifrat e sotme tregojnë se ne po bëjmë përparim në rritjen e ekonomisë”, ka treguar ministri britanik i Financave Jeremy Hunt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore