Shqipëria

Ekipet ballkanike po ndihmojnë për të tërhequr të mbijetuarit në Turqi


Njësi të shumta shpëtimi nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë udhëtuar drejt Turqisë për të ndihmuar në shpëtimin e njerëzve të bllokuar në rrënojat e krijuara nga tërmeti katastrofik që goditi jugun e këtij vendi dhe veriun e Sirisë fqinje.

Të vdekurit janë me mijëra, të plagosurit dhe të pastrehët në dhjetëra mijëra. Çdo moment është i rëndësishëm për të shpëtuar jetë njerëzish sepse është dita e katërt e veprimit pas tërmetit.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë vlerësoi gjatë ditës mobilizimin përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së të ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore në Turqi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së informoi se ekipi shqiptar i kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës mjekësore me 54 anëtarë, të mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ndodhej tashmë në terren për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.

“Shqipëria, së bashku me 18 shtete evuropiane, u bë menjëherë pjesë e mbështetjes evropiane për të prekurit nga tërmeti. Shembulli më i mirë i solidaritetit europian”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së BE-së.

Pak ditë më parë, Shqipëria hodhi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke miratuar në Kuvend marrëveshjen përkatëse.

Agjencia “Anadolu” raportoi se ekipi i shpëtimit nga Sarajeva, i cili udhëtoi dje për në Turqi, shpëtoi një burrë mëngjesin e sotëm pasi kishte kaluar 80 orë nën rrënojat në Hatay.

Aksioni u krye nga pjesëtarët e Shërbimit të Shpëtimit Malor të Novi Grad Sarajevës, ndërsa në Hataj iu bashkuan ekipeve të shpëtimit të organizatës turke IHH.

Pas një kërkimi gjithë natën, mëngjesin e sotëm herët kanë arritur të nxjerrin nga nën rrënoja një 70-vjeçar, 80 orë pas tërmetit, ka konfirmuar për agjencinë “Anadolu” Fahrudin Dobraça, i cili drejton ekipin e GSS Novi Grad në Turqi.

“E kemi nxjerrë një burrë, është rreth 70 vjeç. Ne punojmë së bashku me ekipet e IHH-së, vërtet nuk mund të flas gjatë, është një kataklizëm i vërtetë këtu, ne vazhdojmë të punojmë”, tha shkurt Dobraça në një intervistë për Anadollin.

Veprim nga ekipet nga Kosova dhe Mali i Zi

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës mbrëmë në Hataj kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat nënën e fëmijës dy vjeçar të shpëtuar më parë, transmeton agjencia “Anadolu”.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj uroi pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës për këtë sukses.

“Pasi nxorrën fëmijën, një vajzë dyvjeçare, heronjtë dhe heroinat tona arritën ta nxjerrin nënën nga rrënojat me përpjekje të vazhdueshme dhe vetëmohuese. Urime krenaria jonë!”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ekipet e shpëtimit malazezë janë duke punuar në Turqi që nga dita e djeshme.

Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi njoftoi se ekipi i kërkim-shpëtimit e nxori gruan nga rrënojat.

MPB-ja ka siguruar mediat edhe me video nga veprimet e shpëtimtarëve malazezë.

Aktive janë edhe skuadrat nga Serbia dhe Kroacia

Ne punojmë 24 orë në ditë dhe do të kërkojmë për të mbijetuar për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha Tomislav Marević për agjencinë kroate “Hina” të enjten, një anëtar i ekipit kroat që mbërriti në provincën e Hatay-it natën dhe filloi të ndihmojë viktimat e tërmetit shkatërrues në Turqi.

Udhëtimi i autokolonës me një duzinë automjete zgjati pak, sepse rrugët janë të mbingarkuar dhe shumë vende po dërgojnë ndihma, por ata arritën të mbërrijnë, tha Marević.

Ata filluan menjëherë punën dhe kërkimin e njerëzve të bllokuar nën rrënoja.

“Për fat të keq, ne nuk kemi gjetur asnjë person të gjallë deri më tani, por çdo informacion i tillë që marrim nga dëshmitarët është shumë i rëndësishëm për ne dhe ne e marrim atë si prioritet”, tha Marević. “Ne punojmë 24 orë në ditë, pa ndërprerje”.

Pjesëtarët e Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët janë dërguar në Turqi për të ndihmuar në kërkimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve nga tërmeti shkatërrues, po bëjnë përpjekje maksimale gjatë kërkim-shpëtimit të sotëm me kolegët e tyre nga Italia, raportoi Tanjug.

Në pastrimin e pasojave dhe shpëtimin e të mbijetuarve në Odabasa është angazhuar ekipi i shpëtimit nga Serbia, me 45 anëtarë së bashku me pajisje për shpëtim nga rrënojat dhe makina zjarrfikëse.

Serbia dërgoi një zjarrfikës emergjent, katër furgona dhe katër fuoristradë në zonat e rrezikuara nga tërmeti, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Kujtojmë që mijëra punonjës të huaj të ndihmës kanë mbërritur në Turqi dhe karvani i parë i ndihmës i OKB-së ka hyrë në Siri pas tërmeteve të dyfishta të kësaj jave.

Numri i viktimave ka tejkaluar 20 mijë në të gjithë Turqinë dhe Sirinë fqinje në përditësimin e fundit, me mijëra ende të zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore