Sport

Eintracht shpartallon Bayern Munichun


Eintracht Frankfurt i ka shkaktuar Bayern Munich-ut një nga humbjet më të thella dhe më të këqija në Bundesliga këtë të shtunë, pasi arriti të triumfonte në shifrat 5-1. Ndeshja u zhvillua për javën e 14 të kampionatit më të rëndësishëm të futbollit gjerman.

Fitoret e jashtëzakonshme të Eintracht-it ndaj Bayern-it në fakt nuk janë një lajm i ri. Historikisht skuadra nga Frankfurti ka qenë një nga ata kundërshtarë që në periudha të ndryshme i ka realizuar shumë gola në një ndeshje të vetme bavarezëve duke i shkaktuar humbje në shifrat 6-0, 5-0, 5-1, apo dhe 4-0.

Për tu rikthyer te takimi i kësaj të shtune në “Deutsche Bank Park”, vendasit nuk u shfaqën dominues në fushë aq sa mund të tregoi rezultati përfundimtar. Megjithatë, loja tregoi edhe një herë problemet e Bayern-it në prapavijë dhe lehtësinë me të cilën pësojnë golat.

Omar Marmoush hapi serinë e golave për vendasit në minutën e 13. Junior Dina Ebimbe dhe Hugo Larsson realizuan gjithashtu për vendasit brenda pjesës së parë.

Pas 36 minutash, Eintracht Frankfurt mori epërsinë më të hershme me tre gola nga çdo ekip në Bundesliga kundër Bayern-it që nga Werder Bremen në fitoren e tyre 3-1 në Mynih në maj 2004 (pas 35 minutash).

Bayern do të shënonte me Joshua Kimmich në minutën e 44 duke ngushtuar disi rezultatin dhe për të mbyllur pjesën e parë në humbje 3-1.

Por, edhe pjesa e dytë do të fliste për vendasit që u treguan më të qartë para portës kundërshtare.

Ebimbe do të shënonte golin e katërt në minutën e 50 dhe 10 minuta më vonë Ansgar Knauff do të vuloste rezultatin në 5-1.

Eintracht shënoi pesë gola në 60 minutat e para të lojës kundër Bayern. Skuadra e fundit që e bëri këtë kundër Bayern-it në një ndeshje të Bundesliga-s ishte vetë Eintracht në një fitore 6-0 në 1975.

Me rezultatin e arritur, Bayern qëndron në vendin e dytë në Bundesliga me 32 pikë, tre pikë më pak se Bayer Leverkusen-i kryesues. Eintracht, me fitoren e arritur shkon në kuotën e 21 pikëve dhe ngjitet në vendin e shtatë në renditje.

Gjithashtu, këtë të shtunë, u zhvilluan paralelisht me Einrtacht – Bayern edhe katër takime të tjera në Bundesliga.

Union Berlin u rikthye te fitorja duke mundur 3-1 Borussia Monchengladbach. Hidenheim fitoi 3-2 në shtëpi ndaj Darmstadt-it. Bremen mundi 2-0 Augsburg-un. Dhe, Wolfsburg u mund 0-1 nga Freiburg.

Takimi i fundit i ditës në Bundesliga do të jetë mes Dortmund-it dhe Leipzig-ut. Ndeshja do të fillojë nga ora 18:30.

Renditja në Bundesliga

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore