Bota

Egjipti mbyll hetimin e vrasjes së studentit italian


Prokuroria e Egjipt-it i ka dhënë fund hetimeve mbi vrasjen e studentit Giulio Regeni, në 2016-ën, pasi Italia akuzoi katër oficerë sigurie egjiptianë se e rrëmbyen dhe torturuan atë.

Ky vendim erdhi pasi prokurorët italianë akuzuan pjesëtarë të Agjensisë Kombëtare të Sigurisë në Egjipt. Giulio Regeni, ishte një student doktorature italian në Cairo. Trupi i tij u gjet në shkurt të 2016-ës, i hedhur në një autostradë në Cairo. Në trupin e Regeni-t kishte shenja dhune.

Prokurorët italianë i dhanë 20 ditë kohë të akuzuarve për t’u përgjigjur ndaj akuzës. Pikërisht në ditën kur ky afat mbaronte, prokuroria egjiptiane mbylli hetimet e saj.

Në një deklaratë për shtyp, prokurorët egjiptianë iu përgjigjën homologëve të tyre italianë, pas pesë viteve hetime të kryera. Sipas tyre, italianët kishin arritur në “përfundime të pasakta”, duke argumentuar se “akuzatorët nga Roma kanë mungesë provash”.

Në përfundimet e hetimit, vdekja e Regeni-t i atribuohet “partive armike” që kërkojnë të prishin raportet midis Egjiptit dhe Italisë. Sipas prokurorëve egjiptianë, trupi i Regeni-t është lënë qëllimisht pranë një institucioni që drejtohet nga Agjensia Kombëtare e Sigurisë. Në atë ditë, një delegacion italian po vizitonte Egjiptin.

Prokurorët egjiptianë kanë akuzuar gjithashtu familjarët e Regeni-t se ata kanë fshehur provat që gjendeshin në apartamentin e tij në Cairo. Kompjuteri i studentit mungonte kur hetuesit shkuan të kontrollonin shtëpinë. Gjithashtu akuza hidhen edhe ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Kenya-s. Egjipti mendon se dy shtetet e injoruan kërkesën për të pasur detaje nga dëshmitarë kyç për ngjarjen.

Vrasja e Regeni-t në 2016-ën i acaroi raportet diplomatike të Italisë dhe Egjiptit. Çështja arriti deri në pikën ku ambasadori italian në Egjipt u thirr të kthehej në Itali.

Tashmë pas këtij vendimi, pritet që situata të tensionohet sërish. Një gjyq ndaj katër oficerëve të sigurisë pritet të mbahet gjatë këtij viti./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore