Film

Efektet pamore të Avatar i bëjnë filmat Marvel të ngjajnë si amatorë


Me fillimin e shfaqjeve zyrtare në kinematë e gjithë botës të instalimit të dytë të Avatar – The Way of Water, pakkush e besonte regjisorin e filmit, James Cameron, kur deklaronte se shikuesi nuk e kishte parë ndonjëherë diçka të tillë në kinema dhe se nuk kishte asnjë lidhje me efektet pamore që përdorin filmat e mëdhenj të sotëm (blockbuster), si ata të Marvel.

Dikush ia pati përmendur gjatë një interviste që kishte dhënë për ComicBook, se fjala bie, antiheroi i Avengers, Thanos, dukej shumë mirë i realizuar me teknikën grafike të njohur si CGI.

“Thanos? Mos më bëni të qesh”, pati thënë Cameron atë ditë, duke i shtruar një pyetje të vetme të pranishmëve, kur po intervistohej: A e keni parë këtë film apo jo (referuar Avatar-it). As që i afrohet Thanosi!

Ka të drejtë në fakt…

Pjesa e dytë e asaj që do të jetë saga e Avatar, nuk krahasohet as me filmat Marvel, as me ata të DC Comics e as me ndonjë film tjetër, kur vjen puna në efektet pamore.

Këtë meritë në fakt nuk e ka thjesht aspekti monetar, pasi nëse krahasohen, si The Way of Water, ashtu edhe Avengers Endgame, kanë buxhete të ngjashme, me mbi 350 milionë dollarë secili.

Ndryshimi i vërtetë qëndron në konceptimin e gjithë mënyrës se si filmi duhet ndërtuar dhe si efektet duhen përdorur.

Vetë Cameron, e ka rrëfyer se pas Avatar-it të parë në vitin 2009 (i pari film 3D në histori), gjërat ndryshuan për keq në industrinë e filmit amerikan.

Studiot e panë se kishin mundësi ta përdornin teknikën, por e bënë këtë duke ia lënë gjithçka në dorë ekipeve të pasefekteve, në mënyrë që të kursenin buxhetin.

Duke i shtuar gjithë efektet pamore në pas-produksion dhe duke ia implementuar teknologjinë 3D në të njëjtin proces, pushtetin mbi filmin nuk e ka më regjisori, sipas Cameron, por inxhinierët kompjuterikë dhe dizajnuesit.

Ndërkohë që duhet të jetë e kundërta.

The Way of Water, ashtu si edhe Avatari i parë, është filmuar me kamera të posaçme 3D, të cilat e regjistrojnë pamjen dyfishtazi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë nevojë të preken më pas aq shumë nga personat, të cilët realizojnë efektet pamore të filmit.

Ndër të tjera, një sekret i filmit, i cili më së shumti zhvillohen në ujë, është edhe fakti se ky i fundit është shumë i vështirë për t’u arrirë si efekt.

E kanë provuar më parë edhe Aquaman, apo së fundmi Black Panther – Wakanda Forever, por shikuesi e ka pasur të kuptueshme se uji ishte vendosur aty përmes dixhitalizimit.

Në Avatar, uji duket…ujë?!

Po, sepse sërish është përdorur teknika e veçantë e Cameron, i cili kastën e tij të aktorëve, e futi në një akuarium të stërmadh me ujë për xhirime dhe jo në krye të një ekrani të gjelbër nga pas, ku të mund të shtoheshin efekte.

Kur është pyetur mbi këtë aspekt se pse e ka ndërmarrë mundimin për të ndërtuar një akuarium aq të madh për filmime kur mund të mjaftonte një sfond i gjelbër, ai u përgjigj me thjeshtësi: Duket shumë më mirë ndoshta?! Prandaj…

Duket aq mirë në fakt, sa shikuesi është i zhytur në botën e Avatar për tre orë e 12 minuta të plota, pa lëvizur, në magjinë e një bote krejtësisht imagjinare të krijuar, por aq reale sa mund të prekej edhe në mënyrë ndjesore.

E kështu, për fat të keq, ndoshta industria e filmit nuk do të mësojë nga gabimet dhe do të vijojë të vuajë pasojat, nën ankesat e krizave ekonomike, inflacionit të lartë, apo pandemive të ndryshme.

Vetëm se tani, justifikim nuk kanë, pasi në 12 ditë, The Way of Water, mes stuhisë së acartë në SHBA (ndër më të mëdhatë historike) dhe me një Kinë që vetëm tani po i vuan pasojat reale të COVID-19, arriti të gjeneronte shitje të biletave në vlerën 1 miliard dollarë, duke u bërë filmi i gjashtë në të gjitha kohërat, për shpejtësinë me të cilën e arriti shifrën.

Shikuesit kërkojnë cilësi, Avatar këtë i dha dhe u shpërblye, duke hedhur poshtë edhe skeptikët.

Marvel, DC e të tjerët, bëjnë mirë të mbajnë shënime, nëse nuk dëshirojnë të kalojnë krejtësisht në transmetime televizive, jashtë ekraneve të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore