Edstadler: Situata në Kosovë jashtëzakonisht shqetësuese – S’e lejojmë një tjetër konflikt në Evropë

SHFLETO

Karoline Edstadler

 

Armat Matoshi
11.10.2023 16:32
Loading Icons...

Ministrja për Bashkimin Evropian (BE) dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edstadler, derisa ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ka bërë thirrje që të dyja palët të angazhohen në de-përshkallëzim.

Në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ajo ka thënë se e vetmja rrugë përpara mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërsa ka shtuar se fuqitë perëndimore nuk mund të lejojnë një tjetër konflikt në Evropë.

“Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë jashtëzakonisht shqetësuese. De-përshkallëzimi dhe stabilizimi i situatës së sigurisë janë të një rëndësie të madhe. Situata po zhvillohet çdo ditë dhe presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë në vërtetimin e të gjitha fakteve. Është e qartë se e vetmja rrugë përpara mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit – nga të dyja palët”.

“Të gjithë aktorët politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, për të shmangur hapat e mëtejshëm të përshkallëzimit dhe për t’u fokusuar në përparimin në dialog me mbështetjen e BE-së. Nuk mund të lejojmë një tjetër konflikt në Evropë”, ka theksuar ministrja Edstadler.

Ajo ka nënvizuar se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon vetëm përmes dialogut nën kujdesin e BE-së dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa ka veçuar pritjet e zyrtarëve evropianë në vazhdimin e angazhimit konstruktiv të Serbisë dhe Kosovës dhe në frymën e kompromisit, në mënyrë që të anëtarësohen në BE.

“Udhëheqja politike është e nevojshme për të arritur kompromiset e nevojshme. Situata aktuale nuk i sjell dobi askujt, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë e rëndësishme që fitojnë me përparimin në rrugën e tyre evropiane”, ka potencuar ministrja Edstadler, derisa ka kërkuar nga Serbia të harmonizohet me politikat e BE-së.

“Megjithatë, ne ende besojmë fuqishëm se familja evropiane nuk është e plotë pa të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Austria ka qenë një mbështetëse e fortë e procesit të pranimit të Serbisë në BE dhe ne jemi të inkurajuar nga angazhimi i Serbisë për të mbajtur një nivel të lartë në axhendën e saj të reformave”.