Kampionate

Edon Zhegrova foli ashpër por saktë


Pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës në “Nacional Arena” të Bukureshtit, e shoqëruar me incidente nga vendasit, humbja 2-0 e “dardanëve” nuk është përtypur mirë nga vetë ata.

Humbja ndaj Rumanisë në një ndeshje ku Kosova luajti më shumë se 45 minuta me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Vedat Muriqiti (kartoni i dytë i verdhë) ka lënë shijë të hidhur te lojtarët dhe tifozët “dardanë”.

Pas ndeshjes, Edon Zhegrova ishte një nga lojtarët që foli, duke pasur një reagim të ashpër, por të saktë, per atë çka po ndodh me Kombëtaren e Kosovës.

“Thënë të drejtën s’kam koment, besoj që kemi pasur shumë gjasa për tu kualifikuar me këtë grup që e kemi pasur. Mendoj që duhet të ndërrohen disa gjëra të brendshme, s’do të doja të flisja, sepse s’më takon mua të flas”, tha ylli i Lille në Ligue 1.

“Duhet të diskutojmë të gjithë së bashku dhe duhet ta zgjidhim të gjithë së bashku. Do të doja që kapiteni apo ndonjë lojtar tjetër më në moshë do të diskutonin me presidentin e ta zgjidhim këtë problem”, vijoi Zhegrova.

Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala nuk pranoi të komentonte deklaratën e Zhegrovës, por la të kuptohet që federata duhet të veprojë për gjendjen aktuale.

“Të zhgënjyer jemi të gjithë. Ndërsa për ndryshime nuk kam kompetencë të flas. Besoj se duhet të flasin instancat më të larta të federatës”, tha Shala.

Zhgënjimi i “dardanëve” është i drejtë dhe deklarata e Zhegrovës qëndron. Pse? Sepse Kosova kishte shansin më të madh për të shkuar në Euro 2024, me një grup që ka në përbërje ekipe si Zvicra, Izraeli, Andorra, Bjellorusia dhe Rumania.

Megjithatë, Kosova nuk ka arritur të marrë asnjë fitore deri më tani. Ata e nisën me një barazim 1-1, shpresëdhënës, në transfertën e Izraelit. Më pas vijuan me një barazim 1-1, zhgënjyes, në Prishtinë ndaj Andorrës. Dhe, po në Prishtinë u ndalën në barazim 0-0 me Rumaninë.

Humbja 2-1 ndaj Bjellorusisë ishte një tjetër goditje e madhe për Kosovën, pasi ishte një ndeshje ku synonte tri pikë të plota. Më pas erdhi barazimi befasues 2-2 me Zvicrën në Prishtinë dhe së fundmi humbja 2-0 ndaj Rumanisë.

Pra në gjashtë ndeshje kualifikuese, Kosova ka arritur vetëm katër barazime dhe dy humbje. Asnjë fitore. Vetëm katër pikë. Ndërsa, Zvicra ka 14 pikë, Rumani 12 pikë dhe Izraeli 11 pikë.

Më herët, në Nations League, përsëri Kosova dështoi. Ata grumbulluan 9 pikë në gjashtë ndeshje, duke përfunduar në vendin e dytë pas Greqisë dhe lanë pas Irlandën e Veriut dhe Qipron.

Edhe në kualifikueset e Kupës së Botës 2022, Kosova bëri një paraqitje për tu harruar. Nga gjashtë takime, ata fituan vetëm një, barazuan dy dhe humbën tre.

Me fjalë të tjera, Kosova aktuale është shumë larg asaj Kosove që cilësohej si “Brazili i Ballkanit”. Dy vitet e arta pa humbje tani janë vetëm kujtime dhe pjesë e historisë. Tashmë ka ardhur koha për ndryshim.

Zgjedhjet teknik në stol kanë rezultuar të gabuara. Primoz Gliha nuk është dhe nuk mund të shihet si trajner i përhershëm. Paraardhesi i tij, Alain Giresse, edhe pse me një eksperiencë të madhe, ishte “dështim”.

Legjenda franceze e drejtoi Kosovën në 14 ndeshje dhe arriti të merrte vetëm 1.29 pikë për çdo 90 minuta.

Bernard Challandes ishte një tjetër bast jo i fituar i Federatës së Futbollit Kosovës. 72-vjeçari zviceran e drejtoi ekipin në 37 ndeshje dhe arriti të merrte 1.51 pikë mesatarisht.

Megjithatë, tashmë gjërat duhet të ndryshojnë dhe shembulli më i mirë duhet të merret nga Shqipëria. Kuqezinjtë janë duke bërë një fushtatë të jashtëzakonshme në këto kualifikuese, duke qenë të parët në Grupin E.

Por, ajo që bie më shumë në sy te Shqipëria është cilësia e lojës që po zhvillon nën urdhërat e trajnerit brazilian Sylvinho. Një trajner i cili luan futboll modern dhe nuk vjen për një pension të mirë pleqërie siç ka bërë më herët Edy Reja, apo dhe Challandes me Giresse te Kosova.

Një tjetër çështje e nxehtë te Kosova dhe që duhet zgjidhur pas trajnerit të ri janë edhe lojtarët që nuk marrin ftesa apo nuk aktivizohen.

Mirlind Daku dhe Arbnor Muja janë dy të fundit që “braktisën” Kosoven. Në fakt, ai largim nuk ishte për faj të tyre. Muja edhe pse u shpall kampion në Belgjikë, përsëri nuk gjente minuta te Kosova. Ndërsa, Daku, golashënuesi rekord i Superligës së Kosovës brenda një viti me 31 gola, dhe shënues i rregullt në Kroaci dhe Slloveni nuk mori ftesë nga kombëtarja “dardane”.

Yje si Albion Rrahmani, Meriton Korenica dhe Ermal Krasniqi nuk po marrin minutazhin e nevojshëm në Kombëtare. Dhe kjo mund të sjellë pasoja të mëvonshme. Këtu nuk po flasim për lojtarë që e përdorin emrin e Kosovës për t’u afruar me Zvicrën apo Gjermaninë, por për lojtarë që e duan Kosovën dhe ëndërrojnë të përfaqësojnë vendin e tyre, denjësisht.

Muja dhe Daku nuk janë Uran Bislimi dhe Mërgim Berisha. Te dy emrat e fundit nuk ishte faji i FFK-së, por për dy të parët, pa diskutimin më të vogël, federata e Kosovës gaboi dhe duhet të jetë gabimi i fundit i tyre në këtë drejtim.

Siç thotë edhe Zhegrova, që mbase nuk është i duhur për t’i thënë ato fjalë, por është më i sakti në ato që thotë “duhet të ndërrohen disa gjëra të brendshme”, duke filluar me trajnerin dhe menaxherët e Kombëtares. “Brazili i Ballkanit” duhet të rikthehet, mundësitë dhe lojtarët janë, por duhet vetëm dikush, një “Sylvinho kosovar” për t’i drejtuar në udhën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore