Lajme

Editorial: Unë jam diplomati që qëndron prapa dokumentit mbi kornizën e re të dialogut


Fotografi nga Albanian Post

Tashmë, tri javë pas publikimit, është bërë e qartë që dokumenti i botuar në Albanian Post është një refleksion real i asaj që u është prezantuar palëve. Për dallim nga shumë kolegë, ne në Albanian Post dhe disa të tjerë, mendojmë që konfidencialiteti i tepruar e dëmton procesin.

Një çështje e ndjeshme si ajo e raportit në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet pa përfshirjen e publikut. Çështjet duhet të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, në të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse njerëzit e rajonit janë të lodhur nga paqartësia dhe të jetuarit në kriza të përhershme. Transparenca do të vazhdojë!

Njësoj si New York Times me 28 tetor 2020, Albanian Post po ndërmerr hapin e rrallë për të botuar një editorial anonim. Ne e kemi bërë këtë me kërkesë të autorit, një diplomat i lartë i përfshirë në çështjet e rajonit, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë dhe pozita e të cilit do të rrezikohej nga zbulimi i identitetit. Ne besojmë se botimi i këtij editoriali në mënyrë anonime është mënyra e vetme për të ofruar një këndvështrim të rëndësishëm për lexuesit tanë.

Editoriali

“Food for thoughts” për lidershipin në Kosovë

Në Prishtinë, askush nuk guxon as të mendojë që ne nuk duam dhe nuk angazhohemi për njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ne, e kuptojmë dhe e bashkëndiejmë tërësisht argumentimin e miqve tanë në Prishtinë kur na thonë që çfarëdo zgjidhje pos njohjes reciproke është një lloj armëpushimi, një pauzë deri në luftën e ardhshme.

Ky argumentim i liderëve të rinj të Kosovës është tërësisht racional dhe të gjithë ne pajtohemi me këtë. Prandaj, pas gati gjysmë viti konsultimesh serioze, ne e kemi qartësuar fundin e rrugës, flas për atë që kolegët tanë gjermanë tani e theksojnë haptazi dhe fuqishëm: dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën nuk mund të futen në BE.

Por, nuk është vetëm kjo.

Presidenti Putin ka ngritur një mur të ri në Evropë dhe Serbia tani duhet të zgjedhë në cilën anë të murit do që të jetë.

Paqartësia strategjike – as andej as këndej, edhe me lindje edhe me perëndim – më nuk është e qëndrueshme. Askush në Perëndim nuk e ka vendosur Serbinë në këtë pozitë. Këtë e ka bërë Putini. Dhe nëse Serbia zgjedh të jetë në anën ruse të murit atëherë më nuk mund të llogarisin në mbështetjen tonë. Është kaq e thjeshtë.

Miqtë tanë në Beograd tashmë e dinë, e kanë të kristalizuar, që përpos humbjes së mundësisë për t’u anëtarësuar në BE ata mund ta humbin edhe mbështetjen e Perëndimit, pikërisht arterien kryesore që sot e mban gjallë ekonominë dhe mirëqenien serbe. Retorikën anash, vërtet mendoni që serbët duan të kthehen në mizerien ekonomike dhe sociale të viteve të 90-ta. Pos ndonjë të dehuri, në Beograd vështirë se mund të gjesh ndonjë të tillë.

Rusia është pjesëmarrëse e vogël në ruajtjen e mirëqenies në Serbi. Për më tepër, Rusisë nuk i intereson Serbia dhe as serbët. Rusisë i intereson vetëm akomodimi i interesave të tyre nëpërmjet një marrëveshjeje të re me Perëndimin. Dhe jam shumë i kënaqur që lidershipi në Beograd ka nisur ta kuptojë këtë gjë.

Miqtë tanë në Prishtinë duhet ta dinë që askush në Berlin, Paris, Bruksel, Londër, DC, por edhe në kryeqytetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, as që e çon në mendje një mundësi në të cilën Serbia mund të vazhdojë rrugën e vet evropiane, por edhe partneritetin me Evropën, pa bërë një marrëveshje të qëndrueshme paqeje me Kosovën. Pra, jemi në pajtim të plotë, ne nuk duam armëpushim, duam paqe të qëndrueshme, ku Kosova dhe Serbia, si dy fqinjë të mirë, kthehen në faktorë të stabilitetit në Evropën juglindore.

Por, po ashtu duhet shtruar pyetjen, nëse të gjitha kërcënimet e mundshme nuk kryejnë punë dhe Serbia refuzon ta njohë Kosovën, çfarë duhet bërë?

A duhet të vazhdojmë ta presim Serbinë? A duhet të vazhdojmë t’i japim mundësi Rusisë që, nëpërmjet Beogradit, të tentojë përçarjen e NATO-së dhe BE-së? A duhet të vazhdojmë t’i lejojmë Putinit që të flasë për “precedentin” e Kosovës dhe me cinizëm të në thotë se, sa i përket Kosovës, disa shtete të NATO-së mendojnë njësoj si Rusia?

Jo, ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë, sepse atëherë Kosova kthehet në thembrën tonë të Akilit.

Pra, ne na duhet një zgjidhje edhe për skenarin ku Serbia zgjedh kokëfortësinë, duke llogaritur në mbështetjen ruse në Këshill të Sigurimit.

Dhe, i gjithë angazhimi ynë këto javë dhe muajt e fundit, është në funksion të krijimit të një mundësie të re që përfundimisht e neutralizon status-quon.

Nuk ka asnjë dilemë. Fundi i rrugës është njohja reciproke, thjesht për të mbërritur deri aty do të duhen disa faza. Dhe faza më e rëndësishme është që Kosova ta zërë vendin e vet në familjen e kombeve të lira të Evropës. Dhe për ta bërë këtë, Kosova duhet të anëtarësohet në Këshill të Evropës dhe të nis procesin e anëtarësimit në NATO dhe në BE.

Në Beograd tashmë e kanë të qartë që, si pasojë e rrethanave të reja, Serbia nuk ka asnjë veto në raport me rrugëtimin e Kosovës drejt familjes evropiane. Ata tashmë e kanë të qartë që nëse zgjedhin të qëndrojnë në anën ruse të murit që ka ngritur Putini, atëherë çështja e Kosovës do të trajtohet si çështje ekskluzivisht brenda evropiane. Dhe në këtë situatë, uniteti i aleatëve fiton prevalencë.

Pjese nga editoriali

Në Prishtinë, janë disa që thonë, nuk na duhen këto faza të ndërmjetme. Në një rrafsh personal, tërësisht pajtohem. Por ja që i kemi pesë shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe që nuk duan ta ndryshojnë pozicionin e tyre pa ia dhënë Serbisë çdo mundësi për të bërë gjënë e duhur. Për më tepër këto shtete, por edhe shtetet tona, duan që Serbia, direkt apo indirekt, të jetë pjesë e unitetit të ri evropian.

Ne, nuk duam ta humbim Serbinë, prandaj duam që t’i japim çdo mundësi që, me hapa të mëdhenj apo të vegjël, direkt apo indirekt, Serbia të jetë pjesë e këtij uniteti dhe që populli serb të shohë mundësitë e mëdha që i ofrohen dhe të mos ngelë peng i politikave të viteve 90-të.

Por, në të njëjtën kohë, ne nuk mund të presim në pafundësi.

Në Beograd e kemi thënë qartë: tani, vërtet është fundi i rrugës. Tani, vërtet ka ardhur koha për vendime të vështira.

Por kjo vlen edhe për Prishtinën.

Nëse e gjithë vëmendja përqendrohet në mikro-detaje dhe lidershipi kosovar nuk bëhet e pjesë e mendimit të ri strategjik të Perëndimit atëherë jeni ju ata që e prolongoni çështjen dhe i krijoni mundësi Putinit.

Mendoj që duhet të reflektoni pak dhe të pyesni veten, ku do të ishte sot Kosova nëse, në Rambuje, udhëheqësit tuaj të atëhershëm do të na kishin thënë që nuk u besojnë premtimeve tona dhe të largoheshin nga konferenca.

Duhet të keni besim.

Historia e lindjes dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës është shembull shkollor që politika vërtet është art i të mundshmes. Në vitin 1999 u bë realitet e pamundura e vitit 1991, në vitin 2008 u bë realitet e pamundura e Rambujes.

Me pak besim, dhe me shumë durim, nesër do ta bëjmë realitet atë që sot shumëkush e sheh si të pamundur: Serbia dhe Kosova, krahë për krahë, si partnerë në BE dhe një ditë edhe aleatë në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore