Edi Rama do të propozojë në Paris një plan paqeje për Gazën
Vitjon Nina
10.11.2023 14:09Shqipëria do të ofrojë një plan në Forumin e Paqes në Paris, për t’i dhënë fund konfliktit të Gazës “para se ai të dalë jashtë kontrollit”.
Zyra e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, tha të premten se vendi qëndron me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, por gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të mbrohet “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Plani kërkon që Liga Arabe dhe Turqia të sigurojnë lirimin e sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi pas një armëpushimi.
Izraeli më pas do të duhet të tërhiqte të gjitha forcat e tij nga Gaza, me një forcë ndërkombëtare të udhëhequr nga Liga Arabe që do të merrte kontrollin për të lehtësuar rindërtimin dhe kalimin e qeverisjes nga Hamasi në Autoritetin Palestinez.
Rama tha se duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare e donatorëve për të rifinancuar rindërtimin e Gazës.
Një ditë më parë, përmes një publikimi në median sociale X, Rama parashtroi edhe çfarë priste të ndodhte në Forumin e Paqes në Paris, të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Nesër më datë 10 nëntor, do t’i bashkohem udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza. Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës”, shkruan ai.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit.
“Në Paris do të theksoj se është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se të dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu, do të theksoj se ndërkohë që Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë. Një ndërprerje e negocuar e armiqësisë aktive është e domosdoshme”.
Ai shtoi se “në Paris, do t’i kërkoj mikpritësit tonë, Presidentit Macron të Francës, mbështetjen e tij për t’u angazhuar me udhëheqës të tjerë”.
Kjo, për sa më poshtë:
-Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.
-Ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza.
-Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë asnjë të ardhme politike për Hamasin. Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez. Shqipëria është e gatshme të bashkë-sponsorizojë rezolutën e nevojshme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për sa më lart.
-Me ndërprerjen e të gjithave luftimeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës.
PPF-ja është një event madhor ku liderët botërorë, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të shoqërisë civile mblidhen për të adresuar nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, posaçërisht në kohëra të turbulencave ndërkombëtare.