Lajme

Edhe Sllovenia do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë


Ilustrim

Pas Britanisë së Madhe e Rumanisë numrin e ushtarakëve në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, do ta rrisë edhe Sllovenia.

Kështu të pakën ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Marjan Sarec, raportojnë mediat sllovene.

Aktualisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it janë 90 pjesëtarë të Ushtrisë Sllovene ndërsa ky numër, sipas Sarec, do të shkojë të paktën deri në 100.

“Sigurisht që Ballkani Perëndimor është prioritet për Slloveninë dhe për këtë arsye ne po rrisim praninë tonë atje”, ka thënë ministri Sarec.

Edhe Britania e Madhe e Rumania kanë vendosur të dërgojë ushtarakë shtesë në Kosovë.

Ndonëse pjesëtarët shtesë të ushtrisë së Britanisë së Madhe janë dislokuar në Kosovë, ato rumune do të vijnë në Kosovë në një të ardhme të afërt.

Ndryshe në një prononcim të shkurtër për media para fillimit të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s nga Bulevardi “Leopold III” në Bruksel, në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, udhëheqësi i saj, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e rritjes së pranisë së Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Ai bëri të ditur se ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë për koordinimin e ndihmës për Ukrainën, ku rëndësinë më të madhe e kanë sistemet e mbrojtjes ajrore, artileria dhe municionet.

Sipas Stoltenberg, ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë edhe për dëmtimin e objekteve infrastrukturore në Detin Baltik.

Përveç këtyre temave, Stoltenberg theksoi se në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s temë diskutimi do të jetë edhe situata e sigurisë në Kosovë.

“Po ashtu do të adresojmë edhe praninë tonë në Kosovë. Ne kemi rritje të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore