Pajisje

Edhe robotët po mësojnë të qeshin ngjashëm si ne


Shkencëtarët po zhvillojnë një sistem të inteligjencës artificiale që synon të rikrijojë nuancat e gëzimit duke qeshur në mënyrën e duhur në kohën e duhur.

Ekipi që qëndron pas robotit të qeshur, i cili quhet Erica, thotë se sistemi mund të përmirësojë bisedat midis njerëzve dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.

“Mendojmë se një nga funksionet e rëndësishme të inteligjencës artificiale bisedore është ndjeshmëria”, ka thënë Koji Inoue, autori kryesor i hulumtimit.

“Kështu që vendosëm që mënyra që një robot mund të ndjejë empati me përdoruesit është të ndajë të qeshurën e tyre”, ka vijuar ai.

Së bashku me kolegët e vet, Inoue ka nisur t’i mësojë sistemit të inteligjencës artificiale artin e të qeshurit bisedor.

Ata mblodhën të dhëna trajnimi nga më shumë se 80 dialogë për takime me shpejtësi midis studentëve meshkuj të universitetit dhe robotit.

Këto të dhëna të dialogut u shënuan për të qeshurat solo, të qeshurat sociale dhe të qeshurat nga gëzimi.

Më pas, të dhënat u përdorën për të trajnuar një sistem të mësimit të makinerive për të vendosur nëse do të qeshte dhe për të zgjedhur llojin e duhur.

Bazuar në skedarët audio, algoritmi mësoi karakteristikat themelore të të qeshurave sociale, të cilat priren të jenë më të përmbajtura dhe të qeshjeve gazmore, me synimin për t’i pasqyruar në situata të përshtatshme.

“Sfida jonë më e madhe në këtë punë ishte identifikimi i rasteve aktuale të të qeshurit të përbashkët, gjë që nuk është e lehtë sepse siç e dini, shumica e të qeshurave në fakt nuk ndahen fare”, ka treguar Inoue.

“Duhej të kategorizonim me kujdes saktësisht se cilat të qeshura mund të përdornim për analizën tonë dhe jo thjesht të supozonim se çdo të qeshjeje mund t’i përgjigjet”, ka shtuar ai.

Ekipi testoi “ndjesinë e humorit” të Erica-s duke krijuar katër dialogë të shkurtër për t’i ndarë me një person, duke integruar algoritmin e ri të të qeshurit të përbashkët në software-in ekzistues të bisedave.

Pastaj u krahasuan me skenarë ku Erica nuk qeshte fare ose lëshonte një të qeshur sociale sa herë që zbulonte të qeshura.

Sipas vetë ekipit, e qeshura mund të ndihmojë në krijimin e robotëve me karakterin e tyre të veçantë.

“Mendojmë se ata mund ta tregojnë këtë nëpërmjet sjelljeve të tyre bisedore, të tilla si të qeshurit, shikimin e syve, gjestet dhe stilin e të folurit”, ka thënë Inoue.

Megjithatë, ai ka shtuar se mund të duhen më shumë se 20 vjet përpara se të jetë e mundur të arrihet një bisedë e rastësishme me një robot si me një mik.

 Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore