Edhe një seancë e mbyllur në Speciale

SHFLETO

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Altina Marmullaku
30.08.2023 11:26
Loading Icons...

Sërish në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të 19-të në seancë të mbyllur në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëgjimi i dëshmitarit të radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, po vazhdon në seancë private, njëjtë si në dëgjimin e dëshmitarit paraprak dhe shumicës së dëshmitarëve të tjerë.

Nga 312 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 18 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të 16-të.

Të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private ose me zë të deformuar, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe, që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë.

Gjykata Speciale në Hagë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Procesi gjyqësor i nisur në fillim të prillit ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritje e shkelje – i cili është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

UÇK-ja është cilësuar guerilja më e suksesshme në shekullin e kaluar, duke marrë parasysh se ajo arriti të realizojë projektin e shtetit të pavarur të Kosovës, porse me nisjen e gjyqit në Hagë, lufta e saj tash rrezikon të delegjitimohet dhe të ndryshojë përgjithmonë perceptimi publik për luftën çlirimtare.