Sport

Edhe klubi nga Bundesliga futet në garë për transferimin e Bajramit


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami, ka përfunduar në radarin e Bundesligës së Gjermanisë.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, interesim për Bajramin ka shfaqur Hertha e Berlinit, të cilët po e monitorojnë nga afër situatën e mesfushorit kuqezi.

Në garë për ta transferuar mesfushorin e Empoli-t është edhe Fiorentina, por ata tashmë duhet ta përballojnë edhe konkurrencën e gjermanëve.

Bajrami shkëlqeu në edicionin e kaluar me fanellën e Empoli-t, teksa në 38 ndeshje në të gjitha garat, shënoi nëntë gola dhe dhuroi shtatë asistime.

Shtatorin e kaluar debutoi edhe me kombëtaren kuqezi, ku deri më tani numëron shtatë paraqitje zyrtare.

Drejtori sportiv i klubit kryeqytetas, Fredi Bobic ka nisur bisedimet me drejtuesit e Empoli-t, duke shprehur interesim konkret për Bajramin.

Klubi italian kërkon mbi 10 milionë euro për ta lënë të lirë, ndërkohë që Bajrami shpreson të nisë një tjetër aventurë të re në karrierën e tij.

Kujtojmë që Bajrami u transferua në Itali në verën e vitit 2020 nga skuadra zvicerane, Grasshopper, derisa ai ka kontratë të lidhur me Empoli-n deri në verën e vitit 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore