Kosova

Edhe gjashtë anëtarë të kërkim-shpëtimit nga Kosova nisen për në Turqi


Foto: Ambasada e Turqisë në Prishtinë.

Një ekip prej gjashtë anëtarësh të shoqatës së kërkim-shpëtimit të Kosovës, janë nisur mëngjesin e së enjtes për në Turqi për të ndihmuar në zonat e tërmeteve.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Turqisë në Prishtinë.

“Sot në mëngjes, një ekip prej 6 anëtaresh të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës u nisën për në vendin tonë për të marrë pjesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit në zonat e tërmeteve. Falënderojmë ekipin e KSRA”, thuhet në njoftimin e tyre.

Mbi 16 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

Në Turqi, mbi 60 mijë njerëz janë plagosur dhe më shumë se 12 mijë e 873 kanë humbur jetën, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive. Në Siri janë raportuar më shumë se 3 mijë e 162 viktima.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke realizuar me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.

Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se rajoni ku po operojnë ushtarët e FSK-së është njëri ndër më të goditurit.

“Specialistët e kërkim-shpëtimit urban dhe ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të zbarkuar para dy ditësh në Republikën e Turqisë, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim -shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve.

Ndërsa Qeveria përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.

Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi aktualisht është mbi 9 mijë.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në mesin e viktimave nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.

Por, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familja nga Kosova.

Tërmeti që goditi Turqinë, kishte fuqi prej 7.8 shkallësh të Rihterit.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Njëri nga vendet që ka ofruar ndihmë për popullin e Turqisë është edhe Kosova.

Nga krerët institucionalë është thënë se Kosova ka gatishmëri që të ndihmojë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se ndihma do të ofrohet përmes dërgimit të trupave të Forcës së Sigurisë në Turqi, nga ana tjetër opozita ka kërkuar krijimin e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare.

Nga Turqia të hënën ishte thënë se afër 9 mijë persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore