Sport

Edhe Dybala kërkohet në Arabinë Saudite


Sipas “Il Corriere dello Sport”, klubet saudite po tundojnë Paulo Dybala-n larg Romës, me kryeqytetasit të shqetësuar për humbjen e yllit të tyre duke pasur parasysh klauzolën e tij prej 12 milionë euro.

Dybala ka edhe dy vite në kontratën e tij në “Stadio Olimpico”, por çdo klub i huaj mund të sigurojë nënshkrimin e tij në verë duke paguar 12 milionë euro.

Dybala gjithashtu ka një klauzolë të vlefshme për klubet e Serisë A, por ajo vlen 20 milionë euro dhe Roma mund ta anulojë duke i ofruar Dybala-s një kontratë të re me një pagë më të lartë.

Sipas edicionit të shtypur të së martës të “Il Corriere dello Sport”, klubet saudite po monitorojnë nga afër Dybala, megjithëse ende nuk është bërë asnjë qasje formale.

Raporti pretendon se skuadra e Al-Ahli, të cilët së fundmi kanë nënshkruar me Kalidou Kouliably nga Chelsea dhe është në bisedime me Gennaro Gattuso-n për t’u bërë trajneri i tyre i ri, po mendon të paguajë klauzolën e Dybala-s.

Një ofertë me para të mëdha do të tundonte sulmuesin argjentinas i cili do të mbushë 30 vjeç në nëntor.

Roma qartësisht nuk dëshiron të ndahet me sulmuesin e saj gjatë verës, duke pasur parasysh se tashmë është në kërkim të një zëvendësuesi për të dëmtuarin Tammy Abraham, i cili do të qëndrojë jashtë fushës deri në vitin 2024 me një dëmtim të rëndë në gju.

Kujtojmë që argjentinasi pati një sezon shumë të mirë me Romën, duke shënuar 18 gola dhe duket dhuruar tetë asistime në 38 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Romës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore