Lajme

ECPMF, Qeverisë së Kosovës: Projektligji për KPM-në sinjalizon përpjekje për të shtrënguar kontrollin mbi mediat


Qendra Evropiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF), i ka bërë thirrje urgjente zyrës së kryeministrit të Kosovës, që ta rishikojë projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Nga ECPMF-ja është thënë se një qasje e tillë dërgon në sistem autoritar.

“Kërcënimi me gjoba deri në 40,000 euro paraqet rrezik ekzistencial, veçanërisht për mediat kritike. Ky projektligj përjetëson një qasje armiqësore të partisë në pushtet, duke sinjalizuar një përpjekje të vazhdueshme për të shtrënguar kontrollin mbi median”, thuhet në komunikatë.

“Përfshirja e vërtetë e gazetarëve, OJQ-ve dhe të gjithë akterëve është thelbësore për ndryshime të drejta legjislative”.

Po ashtu nga organizata është thënë se mungesa e transparencës gjatë hartimit ka ngritur shqetësime.

“Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit dhe kontrollit shtetëror nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Mediat online që funksionojnë si organizata joqeveritare do të detyrohen të hapin kompani për të përmbushur kërkesat e licencimit”, thuhet në komunikatë.

“Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e Mediave Online që do të menaxhohet nga KPM-ja. Mediat online do të duhet të marrin leje nga KPM në rast ndryshimi të pronësisë mbi 10%. Mediat online do t’i nënshtrohen një regjimi sanksionesh duke përfshirë gjoba të mundshme deri në 40,000 euro”.

Tutje është thënë se KPM-ja do të ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë siç është aktualisht.

“Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të shkallëzuara prej dy, tre dhe katër vitesh, por mandat katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër”.

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë, KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

“Ndëshkimi i mediave online” – çfarë po provon të bëjë qeveria me projektligjin e ri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore