Lojëra

EA-ja pre e sulmit kibernetik, vidhet edhe kodi burimor


Kompania e lojërave, Electronic Arts (EA), ka njoftuar se hacker-at kanë vjedhur informacione të vlefshme prej saj.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se sulmuesit pretenduan se kishin shkarkuar kodin burimor për lojëra të tilla si FIFA 21 dhe për motorin e pronarit të lojërave të quajtur Frostbite që përdorej si bazë për shumë lojëra të tjera të profilit të lartë.

Faqja e lajmeve, Vice, e ka raportuar e para lajmin e krimit kibernetik, duke thënë se ishin vjedhur afro 780 GB të dhëna.

Nga ana tjetër, vetë kompania ka deklaruar se asnjë e dhënë e lojtarëve nuk është vjedhur gjatë shkeljes.

EA-ja rezulton një nga kompanitë më të mëdha të lojërave në botë. Ajo numëron seri të mëdha si Battlefield, Star Wars: Jedi Fallen Order, The Sims dhe Titanfall mes titujve që zhvillon ose boton – si dhe një gamë të gjerë lojërash vjetore sportive.

‘Nuk ka rrezik për lojtarët’

“Ne po hetojmë një incident të fundit të ndërhyrjes në rrjetin tonë ku u vodh një sasi e kufizuar e kodit burimor të lojës dhe mjeteve të ngjashme”, ka thënë një zëdhënës i EA-së në një deklaratë.

Ai ka shtuar se “asnjë e dhënë e lojtarit nuk u përdor dhe nuk kemi asnjë arsye të besojmë se ekziston ndonjë rrezik për privatësinë e lojtarit”.

Gjithashtu kompania ka deklaruar se tanimë e kishte përmirësuar sigurinë dhe ka vijuar se nuk priste “një ndikim në lojërat ose biznesin tonë”.

EA-ja ka shtuar se “ndërhyrja në rrjet” nuk ishte një sulm ransomware dhe se kishte ndodhur gjatë kohëve të fundit.

Vice, përmes raportimit të tij, tha se kishte parë screenshots të forumeve të piraterisë të përdorura nga sulmuesit, të cilët po reklamojnë të dhënat e vjedhura për shitje.

Lidhur me kodin burimor, ai është një version i software-it kompjuterik që zakonisht lexohet dhe kuptohet shumë më lehtë sesa versioni përfundimtar në një produkt të përfunduar dhe se mund të përdoret për të kthyer pjesët inxhinierike të produktit.

Nëse motori Frostbite, për të cilin haker-at pretendojnë se kanë kodin burimor, është një mjet i fuqishëm i krijimit të lojërave i përdorur në dhjetëra lojëra, nga FIFA te seria Battlefield dhe disa lojëra të fundit të Star Wars nga EA-ja.

BBC shkruan se për motorin, kodi burimor mund të ketë vlera të konsiderueshme për një zhvillues të paskrupullt të gatshëm për ta kopjuar atë, ose për ata që bëjnë kodet mashtruese dhe hack-et për lojëra.

Mirëpo, nuk ka gjasa që ndonjë konkurrent kryesor i EA-së të përdorë ndonjëherë të dhëna të tilla të vjedhura.

Kjo është një nga ndodhitë e fundit të një vargu hacker-imi të kompanive të lojërave të profilit të lartë.

Capcom, prodhuesi i Street Fighter dhe Resident Evil, në nëntor të vitit të kaluar, ka pësuar një sulm ransomware, i cili mund të ketë zbuluar informacionin personal të afro 350 mijë njerëzve.

Ndërsa, zhvilluesi i Cyberpunk CD Projekt Red, në shkurt, pësoi një sulm tjetër ransomware që rezultoi në vjedhjen e kodit burimor për disa lojëra dhe shitjen në ankand në internet.

BBC tregon se në atë rast, haker-at pretenduan se i kishin shitur të dhënat për më shumë se shtatë milionë dollarë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse shitja ka ndodhur në të vërtetë.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore