Lajme

E vërteta alternative e Hekuran Muratit për “rritjen ekonomike” të Kosovës


Ilustrim

Filozofi Harry Frankfurt në esenë e tij të titulluar “Mbi budallallëqet” të cilën më vonë e ribotoi në formë të një libri, arriti në përfundim se ndryshimi në mes të një gënjeshtari dhe atij i cili flet budallallëqe (bullshit), qëndron në atë se gënjeshtari kujdeset për të vërtetën – kujdeset aq shumë sa dëshiron ta fshehë atë.

Ndërsa ai që flet budallallëqe, argumenton Frankfurt, është indiferent ndaj saj.

Ai që deklaron budallallëqe, thotë Frankfurt, thjesht i krijon ato për t’ia përshtatur qëllimit të tij.

Përshkrimi i Harry Frankfurt për budallallëqet duket se i përshtatet në mënyrë të përkryer deklaratës së Ministrit të Financave, Hekuran Murati se “ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, përkundër sfidave globale”.

Muratit në këtë rast nuk i intereson nëse gjërat që ai thotë e përshkruajnë saktë realitetin, qëllimi i tij i vërtetë është mjegullimi i situatës së rëndë socio-ekonomike në vend.

Për ekonomistin, Erton Bega, deklarata e Muratit, se qarkullimi i bizneseve është rritur në 8 miliardë euro në gjashtë mujorin e parë, është e saktë, por kjo nuk do thotë që ekonomia e Kosovës është rritur, marrë për bazë inflacionin që është dyshifror.

“Shifrat e prezantuara mund të jenë të vërteta, por ato në asnjë mënyrë nuk japin indikacione për performancë të mirë ekonomike nga bizneset përderisa qytetarët hasin vështirësi të mëdha për t’u përballuar me koston e jetesës”, shpjegon Bega për Albanian Post.

Qeveritë përdorin të dhëna pozitive, argumenton Bega, vetëm e vetëm për ta propaganduar qeverisjen e mirë të tyre.

“Njëjtë siç vitin e kaluar përdorej rritja e remitencave, e që këtë vit nuk përmendet fare, pasi si indikatorë nuk është aq pozitivë, por që në fakt nuk ishte as atëherë”, argumenton më tej ai.

“Janë qytetarët ata që e ndjejnë dhe vlerësojnë më së mirë situatën ekonomike në vend, pasi si pasojë e ngritjes dyshifrore të çmimeve janë më të varfër se një vit më parë dhe kjo po shprehet zëshëm përmes sindikatave vazhdimisht. Në vend të shifrave, bizneset dhe qytetarët presin politika dhe masa konkrete për t’u ballafaquar me krizën aktuale”.

Edhe për profesorin e financave, Florin Aliu, pohimi i ministrit Murati është i pasaktë.

Sipas tij bilanci i kompanive, të cilën Murati e konsideron si arritje, është i fryrë për shkak se bizneset kanë rritur çmimet si pasojë të inflacionit.

“Ne momentet kur ekonomia ballafaqohet me inflacion qe sipas Bankës Botërore kalon nivelin e 19 për qind, atëherë të gjitha çmimet janë në rritje. Pra inflacioni nënkupton rritje të përgjithshme të çmimeve, që në Kosovë vërtetohet përmes shportës së konsumatorit dhe deflatorit të Bruto Produktit Vendor”, shpjegon Aliu për Albanian Post.

Për Aliun, është e saktë se volumi i tregtisë në vlerë nominale është rritur, por jo edhe sasia e shitjes dhe e prodhimit.

“Në ketë periudhë shëndetin e ekonomisë ne e matim me dy indikatorë të rëndësishëm, siç janë: inflacioni dhe rritja ekonomike reale. I pari inflacioni në Kosovë është në nivelet më të këqija. Ne ndërkohë i dyti (BPV apo GDP) pritet të përkeqësohet sepse inflacioni ulë fuqinë blerëse dhe si rezultat edhe qarkullimin e bizneseve”.

Grafiku i prezantuar nga ministri Hekuran Murati

Deklarata e fundit e Muratit është aq jo-reale, sa ajo e parafundit.

Murati një ditë më parë, duke u thirrur në statistika deklaroi se kosovarët i kanë mbushur bankat me para, kjo falë pakos mbështetëse të Qeverisë, të cilën kjo e fundit, e miratoi në fillim të muajit prill.

Përveç kësaj, Murati e ka konsideruar si një gjë “interesante” kontributin e jashtëzakonshme të mërgatës në muajin korrik, ani pse ndihma e tyre në ekonominë e vendit ka qenë e vazhdueshme.

“Në fund të muajit korrik, niveli i depozitave në valutën Euro, ishte 4.88 miliardë euro”, kishte shkruar Murati në rrjetin e tij social në Facebook, duke prezantuar këtë si një arritje të Qeverisë.

Ndryshe Murati në statusin e tij të parafundit argumentonte se qarkullimi i bizneseve në vend për muajin qershor të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur përafërsisht për 2 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore