Shqipëria

E treta e pavërteta për Berishën


Sali Berisha mbetet ende i pakonkurrueshëm në hierarkinë e Partisë Demokratike dhe ky është fakt i provuar në tre dekada të ndryshme.

Kundërshtarët ose rivalët e tij (brenda Komisionit të Rithemelimit) nguruan të garojnë me të edhe pas nëntë vitesh larg lidershipit në selinë blu.

Më 22 maj, ai u përball me kandidatin Ibsen Elezi, gara e të cilit me ish-liderin demokrat ishte thjesht një formalitet.

Por, rikthimi i Berishës në krye të PD-së nuk ishte i papritur.

“Kurrë mos thuaj kurrë”, theksonte ai para zgjedhjeve më 13 qershor të vitit 2021 për kreun e kësaj force politike.

Pothuaj një vit më pas kjo deklaratë e ish-kryeministrit është aktualitet politik.

Në realitetin e PD-së tanimë, me Berishën asgjë nuk është më e pamundur – më së shumti në planin individual.

77-vjeçari u zgjodh për të parën herë në udhëheqjen e selisë blu si ‘tranzicion’ pushtetesh – rokadë me ish-kryedemokratin Azem Hajdari.

Berisha do të rikthehej në korrikun e vitit 1997 në krye te partisë, për të rimëkëmbur figurën e tij dhe humbjen e thellë të demokratëve në zgjedhje.

Ndërsa, dita e sotme shpalli fitoren e tretë dhe ‘të pavërtetë’ të ish-kryeministrit.

Me një caktim persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, selia e lirisë është ngërthyer në një konflikt i cili i kalon kufijtë e Shqipërisë.

Historiku

Lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit (1990 – AP) Azem Hajdari, u bë dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike.

Që nga 12 dhjetori i të njëjtit vit ai u shpall ‘kryetar i Komisionit Nismëtar’ të demokratëve.

Sipas dëshmive të kohës, një mbledhje e mbajtur me 9 shkurt të vitit 1991, vendosi largimin e Hajdarit nga kryesimi i partisë.

Mbledhja caktoi përkohësisht kryetar Aleksandër Meksin, i cili ishte gjithashtu anëtar i Komisionit Nismëtar të PD-së.

Por, këto zgjedhje nuk u njohën pasi “mbledhja ishte organizuar në mënyrë jo formale”, dhe “nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë një vendim të tillë”.

Katër ditë më pas, do të ngrihej me votim të fshehtë Komiteti Drejtues i demokratëve.

Sali Berisha u zgjodh kryetar i këtij komiteti me nëntë vota.

Rikthimi i parë

PD-ja do i humbte thellë zgjedhjet e parakoshme të 28 qershorit në vitin 1997.

Në 40 për qind të territorit të vendit ajo nuk pati mundësi të bënte fushatë.

Kjo, për shkak se selitë e saj ishin djegur.

Berisha kishte dhënë  dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës me 31 korrik të të njëjtit vit.

Më 20-21 tetor të vitit 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt i Partisë Demokratike.

Ky i fundit, u zhvillua në një atmosferë tejet të rënduar politike.

Qindra anëtarë dhe drejtues të saj ishin ekzekutuar, përfshirë edhe plagosjen e Azem Hajdarit në Kuvend.

Në një garë me ish-kryeparlamentarin Pjetër Arbnori, Sali Berisha u zgjodh sërish kryetar i PD-së.

E treta e pavërteta

Pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme vendore, por edhe pas kërkesave të disa prej deputetëve, Lulzim Basha do të dorëhiqej më 21 mars nga posti i kryetarit.

Ky vendim i tij erdhi menjëherë fill pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryesisë dhe Kolegjit të Kryetarëve.

Më një fjalim të ndjerë, Basha u shpreh se këtë vendim e mori për të kthyer bashkimin e demokratëve.

Grupi i PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, vijoi mbledhjen nën drejtimin e kryetarit Enkelejd Alibeaj.

Për zgjedhjen e kryetarit të ri, ai deklaroi se kjo duhej bërë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Por Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit nuk humbën aspak kohë.

Më 30 prill, në Kuvendin Kombëtar të thirrur prej saj, u miratuan ndryshimet e reja statutore.

Këto ndryshime i hapën rrugë 22 majit, si data kur do të mbaheshin zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së.

Berisha do e zyrtarizonte më 6 maj kandidaturën e tij për kryetar duke plotësuar dokumentet.

“Do të kandidoj dhe i kam plotësuar dokumentet, do t’i dorëzoj dhe do t’u drejtohem shqiptarëve në mënyrën më besimplotë se kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre”, do të shprehej ish-kryeministri.

Studimet

Për të kuptuar sjelljen alogjike brenda selisë blu, mjafton t’i referohemi studimeve për “ngritjen dhe rënien e liderëve partiakë”.

Siç vuri në dukje politologu gjerman Dankwart A. Rustow, “problemi i trashëgimisë politike është i nënkuptuar në gjendjen njerëzore: ai paraqitet nga vdekshmëria dhe dobësia e njeriut”.

Ecuria politike ose lidershipi nuk janë, megjithatë, vetëm fenomene empirike që gjenden në mbarë globin.

Duke pasur parasysh vetë natyrën e politikës, çështjet e trashëgimisë politike priren të jenë gjithnjë të pranishme.

Kjo, edhe në mungesë të një pasardhësi të fundit ose në pritje.

Që nga studimi i politologes amerikane Valerie Bunce mbi ndikimin e vazhdimësisë së elitës në politikat publike, vijueshmëria e lidershipit është studiuar si një variabël e varur dhe e pavarur.

Sipas saj, pasardhësit e qetë mund të rrisin performancën, legjitimitetin dhe stabilitetin e një regjimi të caktuar.

Ndërsa pasardhësit e trajtuar keq ose të dështuar mund të vënë një regjim nën presion serioz dhe madje të shkaktojnë fundin e tij.

Kjo e fundit është veçanërisht e vërtetë për regjimet autoritare të përqendruara te liderët dhe me përqendrimin e pushtetit.

Në të vërtetë, sjellja e një pasardhesi të liderëve karizmatikë afatgjatë është konsideruar në thelb problematike.

Kohë kur, sociologu Max Weber prezantoi në mënyrë të famshme konceptin e “autoritetit karizmatik”.

Karizma e Berishës na kujton gjithmonë një perifrazim shumë larg autoritetit të tij.

“Jam Sali Berisha unë o budallenj, o çakenj”, deklaronte ai në foltoren e Kuvendit më 10 nëntor të vitit 2016.

Në librin “Lavdërimi i marrëzisë”, (shkruar nga Erazmi i Roterdamit – AP), marria shfaqet gjithmonë me ngjyrat e saj natyrale.

Referuar kohës, vetëm një ‘i paditur’ nuk e pranon dot se kush është realisht Berisha.

Berisha është Partia Demokratike dhe kjo nuk ka ndryshuar ende pas 30 vitesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore