Lajme

E siguron edhe Gjermania energjinë, nga Emiratet e Bashkuara Arabe


Gjermania bëhet fuqia e radhës evropiane, e cila siguron një marrëveshje me rëndësi tepër të lartë sa i përket çështjes së energjisë, pasi ka marrë garanci absolute nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për furnizim me gaz të lëngshëm dhe naftë.

Ka qenë i pranishëm vetë kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë firmosjes së akordit mes dy vendeve, ku ka vizituar edhe disa kantiere, të cilat përfshijnë projekte të furnizimit me gaz në Emirate.

Vetëm një ditë më parë, ishte Franca, ajo e cila arriti një ujdi me Katarin për furnizimin me gaz, duke siguruar rezerva të mjaftueshme për të kaluar këtë dimër pa probleme, sipas raportimeve nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Scholz, nëpërmjet kësaj lëvizjeje në Emirate, mund të zhbëjë kështu një pjesë të mirë të ndikimit rus në energjetikën gjermane, pasi Moska luan rol kryesor në furnizimin me gaz të Berlinit.

Duke i shtuar edhe marrëveshjen për naftën, e cila është e bashkëngjitur me gazin, Gjermanisë mund të mos i shërbejë më farë bashkëpunimi me Rusinë për këtë çështje.

Gjatë takimeve, kancelari gjerman shprehu gjithashtu edhe bindjen e plotë se shteti të cilin ai e drejton, ka vendosmërinë e duhur për të mos mbetur më peng i asnjë vendi tjetër, sa i përket burimeve energjetike.

Kështu, duke aluduar se kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme disa-vjeçare, deri në çastin kur vendi të bëhet autonom me burime të rinovueshme.

Sipas tij, ka pasur shumë progres vitet e fundit në sektorin energjetik gjerman, por sërish është e vështirë të mendohet se si superfuqia evropiane do të mund t’ia dalë pa ndihmën e palëve të dyta.

me fillimin e luftës në Ukrainë dhe ashpërsimin e sanksioneve ndaj Kremlinit, erdhën edhe pasojat e para për Berlinit, duke qenë se gjigandi shtetëror rus, Gazprom, e ka ulur ndjeshëm furnizimin.

Një vendim tepër i guximshëm i Scholz, ishte ai i mbylljes përfundimtare të projektit Nord Stream 2, i cili do të sillte gaz në mënyrë direkte nga Rusia drejt Gjermanisë.

Projekti qe në fazën përfundimtare të tij, kur kancelari gjermani, i sapo ardhur në detyrë pas zgjedhjeve dhe i kushtëzuar nga një Rusi agresive në luftën e Ukrainës, shtypi butonin e kuq dhe e ndërpreu projektin.

Moska e ka kërkuar rifillimin e tij edhe në mënyrë direkte, por asnjë hap nuk është ndërmarrë nga Berlini. Madje, as një përgjigje nuk është dhënë për Rusinë.

Por, si përgjigje më vete, mund të cilësohet kjo marrëveshje me Emiratet, e cila është shuplaka e radhës ndaj Vladimir Putinit dhe Kremlinit, nga pala gjermane.

Gjermania pezullon Nord Stream 2

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore