Sport

E pafat Newcastle, futbollisti që i kushtoi 70 milionë euro kthehet pas Botërorit


Alexander Isak është transferimi më i shtrenjtë në historinë e Newcastle United, derisa në orët e fundit të afatit kalimtar të verës, ai u transferua nga Real Sociedad për shumën e 70 milionë eurove.

Suedezi ishte pjesë e projektit të pronarëve miliarderë nga Arabia Saudite, të cilët e blenë klubin anglez para dy vitesh.

Megjithatë, aventura nuk ka nisur aspak mirë për sulmuesin 23-vjeçar, ashtu sikurse edhe për klubin e tij.

Isak pësoi një dëmtim gjatë periudhës sa ishte grumbulluar me kombëtaren e tij Suedinë (në fund të muajit shtator).

Pritej që suedezi të rikthehej në fushë këtë fundjavë, por në stërvitje ka ndjerë shqetësime dhe koha e rikuperimit është zgjatur, teksa tashmë pritet të rikthehet në fushë vetëm pas përfundimit të Botërorit, në fundin e muajit dhjetor.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë trajneri i skuadrës angleze, Eddie Howe.

“E shoh të vështirë që Isak të kthehet para Kupës së Botës, mendoj se mund të rikthehet të luaj vetëm pas përfundimit të tij”, tha Howe.

“Për fat të keq, rikuperimi nuk ka shkuar sipas planeve. Po përshtatej mjaft mirë, por më pas erdhi ai dëmtim me Suedinë”, shtoi ai.

“Është shumë keq, pasi që sapo nisi të ambientohej me klubin e tij të ri, por dëmtimet muskulore janë të paparashikueshme dhe mund të ndryshojnë kohën e pritur të rikuperimit”, tha mes tjerash trajneri i Newcastle.

Kujtojmë që Isak e nisi shumë mirë aventurën e tij në Angli. Gjatë tre ndeshjeve sa luajti gjithsej, ai shënoi dy gola (kundër Bournemouth dhe Liverpool).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore