Lajme

E konfirmuar, Escobar e Lajçak takohen edhe me partitë opozitare në Kosovë


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës dy ditore në Kosovë, të hënën dhe të martën, do të takohen edhe me krerët e opozitës.

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Escobar e Lajçak do të takohen me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i PDK-së për Albanian Post, Valmir Klaiqi, duke shtuar se takimi do të mbahet në zyrat e Bashkimit Evropian në Kosovë, por që akoma nuk është bërë e ditur koha e takimit.

Në këtë takim të pranishëm do të jenë edhe krerët tjerë të opozitës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Të martën, takim do të kenë edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Por, në ditën e parë të qëndrimit të Kosovë, të hënën,  dy të dërguarit e posaçëm të SHBA-së dhe BE-së do të takohen me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ashtu siç ka njoftuar zyra për medie e qeverisë së Kosovës, takimi do të ndodhë në ora 20:00.

Escobar dhe Lajçak pritet ta vizitojnë edhe veriun e vendit, tani në kohën kur atje po zhvillohen protesta nga serbët lokal të cilët po kërkojnë largimin e kryetaëve të zgjehdur shqiptarë, e krejt kjo situatë e tensionnuar po mbikëqyret nga forcat e KFOR-it dhe Njësive Specciale të Policisë së Kosovës.

Vizita e tyre në Kosovë ka dy qëllime kryesore. Njëra prej tyre është ulja e tensioneve në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Qëllimi tjetër thuhet të jetë vazhdimi i punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas Kosovës, Escobar dhe Lajçak do të shkojnë për vizitë edhe në Serbi.

Bashkimi Evropian përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në komunikatën e BE-së.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale”.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore