Vende

E dinit se Butrinti vizitohej nga turistët në vitet 30’?


Mbyllja komuniste e Shqipërisë për pesë dekada me radhë i shkaktoi vendit jo vetëm një izolim të dëmshëm në aspektin socio-ekonomik, por edhe në atë të tejçimit të vlerave shekullore që trojet shqiptare kanë.

Megjithatë, prej marrjes së pavarësisë në vitin 1912, nuk ka qenë gjithçka zi në Shqipëri deri në përcaktimin që diktatura e egër enveriste i bëri shoqërisë prej mes viteve 40’.

Madje, ka pasur edhe çaste interesante të reflektimit kulturor, ku ndër to radhitet edhe vizitimi i parkut kombëtar të Butrintit nga turistët, që prej viteve 30’.

Përmes një fotogalerie, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka treguar disa dokumente, ku pasqyrohet vizita e Butrintit në vitin 1935 nga 400 turistë.

Midis mureve të qytetit, muzeut, kështjellave dhe teatrove shkruhet historia e qytetit antik dhe për këtë, të huajt nuk janë kureshtarë veç sot, por edhe asokohe.

Sipas Arkivit, në vitin 1935 Zyra Turistike nëpërmjet shkresës bashkëlidhur, njoftonte ardhjen e 400 turistëve të huaj për të vizituar gërmimet arkeologjike të Butrintit.

Po ashtu, jepeshin udhëzimet e duhura për lehtësimin e masave për pritjen e turistëve dhe përjashtimin e tyre nga taksat e qytetit.

Në vetë fotografitë e publikuara, duken qartazi turistët në rrënojat e qytetit antik, si edhe shkresat shoqëruese për të njoftuar autoritetet mbi lehtësirat që turistët duhet të kishin gjatë kohës së qëndrimit të tyre, së bashku me njoftimin për përjashtimin e tyre nga pagesa e taksës së qytetit.

Një Shqipëri e një kohe tjetër, por me interes të lartë për t’u parë nga të huajt që prej atyre ditëve të largëta, thuajse 90 vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore