“Asokohe, kur isha në adoleshencë, kam vuajtur shumë me aknet e fytyrës.
Ndjehesha shumë keq e për rrjedhojë nuk dilja nga shtëpia pa vendosur grim.
Kudo që ndodhesha, në çantën time me shoqëronte përherë pudra mbuluese. Ishte tejet e rëndësishme për mua.”
Kjo është një copëz nga rrëfimi i një vajze tanimë të rritur, por ende nën petkun e çiltërsisë dhe një buzëqeshjeje të pakursyer.
Elena Basha, pa nguruar aspak, ka treguar për Albanian Post vështirësinë e atëhershme në pranimin e problemeve të fytyrës së saj.
Por gjërat kanë ndryshuar. Imazhi i saj për veten poashtu.
“Aknet janë normale. Shumë njerëz i kanë ato dhe nuk do të thotë që je apo dukesh më pak e bukur”, ka treguar Basha.
Për të është krejt normale të kesh probleme me fytyrën, por përballja me to është ajo që bën diferencën.
“Pavarësisht se në cilën moshë apo moment në jetën tone shfaqen, aknet janë një nga ’bukuritë’ më të zakonshme dhe natyrore të lëkurës. Mund të ndihet si gjëja më e keqe në botë, por ti duhet te gjesh mënyrën më të mirë të mundshme për ta zotëruar atë”, ka ravijëzuar e reja.
Dhe për këtë pranim të saj, Bashka ka zbuluar se e ka kuptuar tepër vonë. Kur vendosi ta pranonte veten ashtu siç ishte. Kur nisi të ishte konfidente.
Ajo ka ndarë edhe detaje mbi përkujdesjen e përditshme që i kushton lëkurës.
“Përpiqem ta mbaj rutinën time të përditshme të kujdesit të lëkurës sa më të thjeshtë të jetë e mundur. Laj fillimisht fytyrën, në mëngjes dhe më pas aplikoj Vitaminë C , kolagjen dhe kremin mbrojtës ndaj diellit. Kurse në mbrëmje heq grimin tim me toner pastrues dhe pastaj përfundoj me një krem nate”.
Kështu, frika për të dalë pa grim nuk e bezdis më.
“Përmes udhëtimit tim, tani mund të dal nga shtëpia pa grim dhe ndihem mirë me veten, çkanuk ndodhte kurrë më parë. Dhe këshilla më e rëndësishme që kam mësuar dhe mund t’u jap të tjerëve është se lëkura nuk përcakton personin”, ka siguruar Basha.
Madje, ajo ka shtuar se “do ta kornizoja bukurinë me mënyrën se si ndjehesh dhe jo me pamjen…pavarësisht sa e mërzitur mund të jesh me pamjen tënde, duhet besuar te vetja….bukuria është karakter”.
Në të thella të bukurisë
E kontaktuar nga Albanian Post, psikologia dhe psikoterapistja, Valentina Telhaj, ka shpjeguar më shumë për bukurinë.
“Bukuria është abstrakte. Kjo se perceptimi mbi të është mjaft i gjerë. Ka shumë pikëpamje nga njerëz të ndryshëm dhe nga vende të ndryshme”, ka treguar ajo.
Dhe për ta aktualizuar më shumë përballjen koncept-realitet, Telhaj është ndalur te ndikimi i pandemisë.
Ajo ka sqaruar se periudha e pandemisë ka pasur një ndikim të fortë në disa aspekte të jetës së njeriut dhe kurrsesi nuk mund të linte pa prekur edhe çështjet e pamjes së jashtme.
“Studiues të shumtë theksojnë se këto janë të lidhura me gjendjen tonë të brendshme. Sa më ‘të lëkundur’ të jemi shpirtërisht, aq më shumë jemi në kërkim të ‘perfeksionit’ nga pamja e jashtme”, ka treguar psikologia.
Në terma të tjerë, dikush që ka vetëbesim, nuk shqetësohet aq shumë për pamjen se sa ndikohen të tjerët që kanë lëkundje të vetëbesimit.
Ajo është kthyer edhe pas në kohë.
“Që në lashtësi, bukuria e vajzave dhe e grave ka pasur qendrën e vëmendjes për mirëmbajtjen e pamjes së tyre. Është një ‘trashëgueshmëri’ në të pavetëdijshmen tonë. Sa herë që flasim për të bukurën direkt na shkon mendja te gjinia femërore”, ka shpjeguar Telhaj.
Megjithatë, nuk ka anashkaluar se në vitet e fundit, është vënë re një rritje e vëmendjes së përkujdesit edhe te djemtë dhe burrat.
Nga ana tjetër, psikologia thekson se kujdesi për veten është edhe respekt. Por se çdo gjë që kalon në tepricë dëmton. Ndryshe, nuk është e shëndetshme nëse ekzagjërohet.
Në hije nuk lihet as ndikimi i mediave sociale.
“Ndikimi i mediave sociale është poashtu i pranishëm. E pavetëdijshmja jonë instalon disa ‘modele’ bazë të asaj që sheh dhe mund të krahasohen, por ndikimi më i madh është te individët me probleme të imazhit të vetes”, ka sqaruar Telhaj.
Ajo e përmbyll idenë duke thënë se nëse dikush është i predispozuar të shqetësohet për pamjen e jashtme, krahasimi i saj me atë të imazheve, shpesh të modifikuara, të postuara nga ndikuesit nëpër media sociale, mund të shkaktojë ankth dhe të përkeqësojë shëndetin mendor.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com