Gjykata Speciale

E arrestoi Specialja, por për çka po akuzohet ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj?


Isni Kilaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka njoftuar të premten se e ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengimin e drejtësisë.

Në një njoftim për media të premten vonë, ZPS-ja tha se ai u arrestua sipas një urdhër arresti të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.

“Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës… dhe shkeljen e sekretit të procedurave”, thuhet në njoftim.

ZPS-ja shtoi se ai është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës dhe se do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës “pa vonesa të panevojshme”.

Arrestimi i tij vjen një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.

Siç njofton Zyra e Prokurorit të Specializuar, Kilaj do të paraqitet me fillim nga ora 10:00.

“Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës gjykatësi i vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar për arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore