Lajme

Dyshimet se u helmuan 100 qytetarë të Hanit të Elezit, IKSHPK kërkon që uji të vlohet para përdorimit


Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka rekomanduar qytetarët e Hanit të Elezit që uji që përdoret për pije dhe ushqim të vlohet para përdorimit dhe të mos ndërpritet furnizimi për shkak që mund të përdoret për nevoja të tjera teknike.

Ky reagim i IKSHPK-së vjen pasi kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur për Albanian Post se rreth 100 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në këtë komunë.

IKSHPK ka njoftuar se në momentin që i marrin rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale.

“Pas marrjes së informatës se Han të Elezit se nga nata e mbrëmshme mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF të Hanit të Elezit, ekipa e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike ka dalë në terren dhe është informuar se pjesa dërmuese e këtyre personave janë nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së.

Sipas IKSHPK-së, personat që janë paraqitur kanë simptomat e njëjta: barkqitje, vjellje dhe temperaturë.

“Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar. Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervuar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës”.

Po ashtu në njoftim theksohet se mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë.

“Janë marrë po ashtu. mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipin e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore