Familja

Dyfishohet numri i divorceve në Shqipëri: 20% e martesave drejt ndarjes


Numri i divorceve në Shqipëri është dyfishuar sipas të dhënave zyrtare ku afro 20% e martesave përfundojnë në divorc.

Kjo është një shifër me e ulët se në vendet perëndimore, por në Shqipëri divorci mbart një peshë tjetër sepse pasojat e tij janë më të rënda për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale. Gjykata e Tiranës rezulton me numrin më të madh të padive për divorc.

Vetëm për periudhën janar 2019- shkurt 2020 janë regjistruar 1 mijë e 96 padi për zgjidhje martese. Ndërsa, në dy muajt e parë të vitit 2020, në Gjykatën e Tiranës, janë regjistruar 256 padi për divorc.

Mbi 80% e kërkesë padive regjistrohen në gjykatë nga gratë dhe në pjesën më të madhe shkaku kryesor i divorceve është dhuna. Fëmijët janë viktima të konflikteve mes prindërve gjatë dhe pas këtij procesi.

Avokate Denisa Daka tregon për “Monitor” se divorcet në Shqipëri kanë një kosto të konsiderueshme, jo vetëm për partnerët që kërkojnë zgjidhjen e martesës, por edhe për shtetin. Faktori kryesor për këtë, në shumicën e rasteve, është paaftësia ekonomike e bashkëshortëve që të paguajnë pensionin e caktuar për fëmijët dhe kjo bën që gratë, në këtë rast, t’i drejtohen shtetit për ndihmë.

“Nis me 3 mijë lekë kërkesëpadia për divorc, vijon me punësimin e avokatit dhe në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, me nevojën e ekspertit psikolog, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata”, – tregon psikologia Redina Balla./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore