Shqipëria

Dy vite nga agresioni rus, Hasani: Krenar për rolin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një videomesazhi në dy-vjetorin e fillimit të agresionit rus u shpreh se është krenar për rolin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës.

“Jam, veçanërisht, krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme. Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën, sepse besojmë se Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen që mund të marrin në luftën e tyre të drejtë”.

Ai ravijëzoi se “kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

“Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin, duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës. Për ne, në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme nga vitet 1990, kur rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë”.

Kryediplomati kujtoi se më 28 shkurt “organizojmë Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor”.

“Ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës”.

Lufta në Ukrainë hyn në vitin e tretë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë më 28 shkurt.

Kështu ka mësuar Albanian Post, teksa vlen të theksohet se vizita e tij vjen në kuadër të Samitit për Ukrainën të paralajmëruar nga kryeministri Rama nga takimi me gazetarët në Shkup.

“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Volodymyr Zelensky. Do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja”, tha asokohe Rama.

Ai shtoi se “ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës  në lidhje me sfidat e sigurisë”.

Samiti për Ukrainën, Rama: Vizita e Zelenskyt do të jetë edhe bilaterale

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore