Lajme

Dy ushtarët rusë arrestohen për vrasjen e 9 anëtarëve të një familjeje ukrainase


Dy ushtarë rusë janë arrestuar me dyshimin se kanë vrarë një familje prej nëntë anëtarësh në shtëpinë e tyre në qytetin e pushtuar nga Rusia në lindje të Ukrainës, Volnovakha.

Pjesë e familjes ishin edhe dy fëmijë të vegjël.

Sipas mediave ruse, vrasjet ndodhën të premten mbrëma dhe të dyshuarit kishin përdorur automatikë me silenciator për të vrarë familjen natën në gjumë.

Ky është rasti i parë i njohur i Rusisë që arreston ushtarët me dyshimin për vrasjen e civilëve ukrainas që nga pushtimi në vitin 2022.

I pari rast paçka provave të shumta të mbledhura nga grupe të pavarura të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe OKB-ja, që tregojnë se ushtarët rusë kanë kryer sistematikisht krime lufte.

Prokurorët rusë kanë thënë se dy ushtarët e arrestuar vinin nga lindja e largët e Rusisë dhe se arsyeja e vrasjeve dukej të ishte një “konflikt i brendshëm”.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë më parë se ata besojnë se ushtarët rusë vranë të gjithë anëtarët e familjes Kapkanets më 27 tetor, sepse refuzuan t’u jepnin shtëpinë e tyre.

Qeveria ukrainase ka deklaruar se ka filluar gjithashtu hetimin e krimit.

Rusia pushtoi qytetin industrial të Volnovakha menjëherë pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Por Kremlini mohon të ketë shënjestruar civilët.

Presidenti rus Vladimir Putin më parë ka vlerësuar një brigadë që është akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Bucha me titullin e nderit dhe ka vlerësuar njësinë për “heroizmin dhe guximin”.

Po ashtu Moska ka kërkuar të parandalojë ushtarët që të flasin.

Vitin e kaluar, një ushtar rus, i cili rrëfeu në një intervistë për vrasjen e një civili në Ukrainë, u dënua me pesë vjet e gjysmë burg me kusht nga një gjykatë ushtarake në lindjen e largët të Rusisë, me akuzën e përhapjes së “lajmeve të rreme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore