Dy policë pengohen gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në Veri

SHFLETO

Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
20.11.2023 9:34
Loading Icons...

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se dy zyrtarë policorë janë penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare të dielën në dy lokacione të Veriut.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rastet kur janë penguar policët kanë ndodhur në fshatin Bërnjak dhe Bube në Zubin Potok.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, kishte refuzuar t’i prezantoj dokumentet identifikuese dhe lejen e qarkullimit të veturës, duke tentuar të largohet me veturë. Zyrtarët policor kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin dhe më pas gjatë arrestimit i dyshuar duke rezistuar kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policor”.

Ndërsa, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Të shpeshta janë rastet kur zyrtarët policorë pengohen për të kryer detyrat e tyre në Veri të Kosovës.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar, ndërkaq katër prej tyre u morr vendim që të lirohen pasi për të njëjtit është thënë se nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.