Dy pistoleta, një karikator me dy fishek sekuestrohen nga rasti i vrasjes dhe plagosjes në Prishtinë
Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek janë gjetur dhe sekuestruar në rrugën “Gazmend Zajmin” në Prishtinë, nga rasti i së dielës ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur.
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, teksa rasti është vlerësuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
“Lidhur me rastin, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në raport bëhet e ditur se një vajzë është sulmuar seksualisht gjatë së hënës, teksa rasti është duke u hetuar nga institucionet.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se vajza e tij viktima femër kosovare, e mitur është sulmuar seksualisht nga një person i pa njohur. Rasti është duke u hetuar”.
Dy raste të tjera janë raportuar për dhunë në familjë në komunën e Fushë Kosovës.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shqetësuar ish bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare, duke shkuar tek shtëpia e saj dhe duke e nxjerre nga shtëpia. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet për rastin e parë.
“Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet për rastin e dytë.
Kurse një rast është raportuar si “Vrasje në tentativë” në Podujevë, në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë e zjarrit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, në shenje hidhërimi me një rast të mëhershëm. Nuk raportohet për të lënduar”.
“Në vendin e ngjarjes është konfiskuar arma e zjarrit Glock 17 me një karikator dhe 15 fishek dhe 3 gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Ndërkaq, në bazë një të urdhër arresti ndërkombëtar është arrestuar një person me shtetësi të huaj dhe me vendim të prokurorit e dyshuar është dërguar në mbajtje.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com