Lajme

Dy persona vdesin nga aksidenti në Leposaviq dhe një tjetër në gjendje të rëndë


Policia e Kosovës.

Dy viktima kanë mbetur nga aksidenti në Leposaviq, ndërsa një person tjetër ka marrë lëndime të rënda trupore.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Raportohet për një aksident trafiku në mes të dy veturave ku si pasojë e lëndimeve te marra, dy drejtuesit meshkuj kosovarë kanë ndërruar jete, ndërsa pasagjeri mashkull kosovar ka pësuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në raport.

Teksa është thënë se aksidenti është shkaktuar pasi një veturë kishte hyrë në shirtin e kundërt.

“Deri tek aksidenti dyshohet se ka ardhur kur njëra nga veturat e involvuara në aksident ishte duke lëvizur ne shiritin e kundërt të lëvizjes, me ç’rast  është ndeshur me veturën e cila ishte duke ardhur nga drejtimi i kundërt. Me vendim të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”.

Ndërsa në Mitrovicë, është thënë se një person është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur në posedim dhe konfiskuar një revole e llojit TT me 8 fishekë të kalibrit 7.62mm”.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse në Gjakovë është raportuar për një rast të dhunës në familje, meqë rast është arrestuar një person.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se e kishte fyer verbalisht si dhe kishte tentuar ta sulmojë fizikisht viktimën femër kosovare”.

Nga policia është thënë se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore