
Pasi kaloi një sezon mjaft të mirë me fanellën e Romës, Tammy Abraham tërhoqi vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Ndër to, janë edhe dy ekipet e mëdha angleze, Manchester United dhe Arsenal, të cilat janë të gatshme ta rikthejnë në Premier League ish-sulmuesin e Chelsea-t.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, dy klubet e lartcekura kanë shprehur interesim për futbollistin 24 vjeçar, të cilat janë të gatshme ta paguajnë kartonin e tij.
Megjithatë, trajneri i Romës, Jose Mourinho nuk e ndërmend të privohet nga shërbimet e sulmuesit anglez.
Mediumet në Itali bëjnë të ditur se trajneri portugez u ka thënë drejtuesve të klubit që Abraham të mbetet i “paprekshëm”.
Në këtë pikë, duket se edhe drejtuesit e Romës e kanë ndërmend të kënaqin dëshirën e portugezit dhe kanë refuzuar çdo ofertë për negociata me sulmuesin anglez, i cili është i destinuar të qëndrojë në kryeqytetin italian, të paktën edhe sezonin e ardhshëm.
Kujtojmë që Abraham zhvilloi 52 ndeshje në të gjitha garat në sezonin e kaluar me Romën, prej të cilave shënoi 26 gola dhe dhuroi gjashtë asistime.
/Albanianpost.com