Lajme

Dy kandidatë shqiptarë për president në Maqedoni të Veriut, çfarë pritet të ndodhë tash?


Albin Kurti dhe përfaqësuesit e opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut gjatë vizitës në Tetovë.

Shqiptarët në Maqedoni të Veriut kanë dalur me dy kandidatë për president, duke minimizuar kështu gjasat që të fitojë presidenti aktual Stevo Pendarovski, që ka orientim pro-perëndimor dhe duke i hapur rrugë kandidates së VMRO-DPMNE-së – partisë nacionaliste maqedonase – dhe e gjithë kjo situatë, sipas njohësve të zhvillimeve politike atje, ka ardhur si derivat i ndërhyrjes “brutale” të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes disa subjekteve të caktuara politike shqiptare atje.

Arben Taravari, kryetar i Gostivarit – komunë e banuar me shumicë shqiptare – është propozuar nga opozita shqiptare (Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Afrim Gashit, dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut), kandidat për president të shtetit maqedonas, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill, rundi i parë, ndërsa i dyti më 8 maj.

Lexo edhe këtë: Ekskluzive me Arben Taravarin: Partia s’është pronë e Ziadin Selës, unë dëgjova zërin e popullit – Artan Grubi është përçarësi

Arben Taravari

Menjëherë pas kësaj, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – nga radhët e së cilës së fundmi u zgjodh edhe kryeministri i parë shqiptar atje, Talat Xhaferi, doli me kandidatin e saj, Bujar Osmani, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme.

Bujar Osmani

Por, e gjithë kjo situatë nuk ishte menduar para disa muajsh.

Siç shpjegon njohësi i zhvillimeve politike në Maqedoni të Veriut, profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nuri Bexheti, për çështjen e presidentit ishte diskutuar se faktori politik shqiptar atje të dilte me një kandidat të vetin konsensual, ose të mbështeste kandidatin e Lidhjes Socialdemokrate – presidentin aktual maqedonas, Stevo Pendarovski.

“Në këtë linjë më i zëshmi ka qenë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe është punuar shumë me Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, por ky i fundit nuk pranoi dhe në mbështetje nga Prishtina, nga kryeministri Kurti, i rigrupoi partitë e vogla që kishin dalë nga partia e Ahmetit, dhe Taravari doli si kandidat i këtij grupimit të vogël (VLEN – emri zyrtar i koalicionit)”, tha Bexheti në një prononcim për Albanian Post.

Njoftimi i opozitës shqiptare se do të dilte me kandidat për president erdhi pak ditë pasi që Taravari, Kasami, Gashi dhe Mexheti u takuan në Prishtinë me Kurtin dhe këshilltarin e tij, Bekim Qoku – i cili do të jetë kandidat për deputet nga radhët e opozitës si përfaqësues i LVV-së.

Në këtë drejtim, shpjegon profesori, Ahmeti u detyrua që të nxjerrë kandidatin e vet, pra Bujar Osmanin.

“Dhe kjo çon në parcializim të votës dhe e rrezikon shumë kandidatin nga radhët e Socialdemokratëve që ka një orientim pro-perëndimor”, mendon ai.

Kandidat për president do të ketë edhe partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DMPNE. Kjo parti, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i ka propozuar profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova, e cila ka kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluar presidenciale, para 4 viteve, ku ishte mposhtur nga kandidati i LSDM-së Pendarovski.

“Partia më e madhe opozitare maqedonase, është edhe partia, sipas të gjitha gjasave, fituese në këto zgjedhje parlamentare. Që i bie, mundësia është që edhe presidenti edhe kryeministri të jenë nga radhët e VMRO-DMPNE-së – e cila për momentin është duke mbajtur një kurs nacionalist”, pohon historiani për AP.

Nuri Bexheti

Problemi kryesor që e ka evidentuar Bexheti në të gjithë këtë situatë, është implikimi i Kurtit në zhvillimet politike atje, dhe si pasojë është krijuar e gjithë kjo katrahurë.

“Interferimi i Kurtit nga Prishtina e ka prishur lojën që Maqedonia të kishte një orientim perëndimor, kjo është si rezultat i interferimit brutal të Kurtit në Maqedoni”, pohon ai, duke shtuar se të gjendur në këtë situatë BDI-ja, u detyrua që të dalë me një kandidat të saj, “për të ruajtur votën e vet”.

Arben Taravari, kandidati për president nga opozita shqiptare, në të gjitha paraqitjet e tij publike, pasi mandatimit nga koalicioni, ka thënë se ka gjasa reale që ai të kalojë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që pritet të mbahen më 8 maj – në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare.

Por, një gjë e tillë, në prizmin e profesorit universitar është e pamundur, duke theksuar se Taravari në fund do të kthehet aty ku është; kryetar i Gostivarit.

“E lexueshme është që Taravari ka bërë gabim fatal. Ai nuk futet në rundin e dytë, ai nuk bëhet president i Maqedonisë, ai nuk bëhet as deputet i parlamentit, ai kthehet në komunën e Gostivarit”, pohoi.

Maqedonia e Veriut, aktualisht gjendet në një nga situatat më të rëndësishme sa i përket orientimit të saj. Ndryshimet kushtetuese, pra futja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës – kërkesë eksplicite e Sofjes zyrtare – janë “nyja gordiane” që do ta përcaktojnë fatin e këtij shteti në raport me rreshtimin gjeopolitik.

LSDM-ja dhe partitë shqiptare – të gjitha pa dallim – janë rreshtuar dhe kanë punuar në favor të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa, nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja ka kundërshtuar ato.

Prandaj, edhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, që do të mbahen së shpejti, janë tejet të rëndësishme se cili krah do të fitojë, pasi që do të jetë tregues i orientimit strategjik të këtij shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore