Dy “dosta” e një ministre, kështu kapen pozitat e larta në MINT nga Rozeta Hajdari dhe VV-ja
Irfan Lipovica dhe Zef Dedaj
Valon Rashiti
15.08.2024 15:12Irfan Lipovica dhe Zef Dedaj, janë dosta të mirë, por edhe dy protagonistët e proceseve kryesore në MINT dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rozeta Hajdarit. Ata janë duke bërë kërdinë në konkurse për kryeshefa të Agjencioneve në këtë ministri me bekimin e Rozeta Hajdarit dhe Vetëvendosjes.
Lipovica, që ishte i arrestuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore, që nga marrja e mandatit të Vetëvendosjes ka pasur pozita të rëndësishme, njëjtë si Dedaj. Këta dy po bashkëpunojnë për dy pozita shumë të rëndësishme në Ministrinë e Tregtisë, në mënyrë që konkurset të mos iu dështojnë në mungesë të kandidatëve.
Lipovicës i është bërë gati konkursi për Kryeshef të Drejtorisë së Akreditimit që pothuajse është në fazën e fundit të emërimit dhe vetëm pritet votimi në Qeveri, përkundër që është i përfshirë në plaçkitjen e rezervave shtetërore, ndërsa Dedajt i është kurdisur konkursi për kryeshef të Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja.
Dedaj duke ia bërë kuorumin Lipovicës, njëjtë ka vepruar edhe Lipovica me mikun e tij, duke ia kthyer borxhin.
Krejt kjo me instruksione të ministres Rozeta Hajdari, që ka lidhje të ngushta me të dytë.
Përkundër që Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja parashihet të kalojë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, procesi nuk është ndalur për Dedajn, që është nipi i profesorit të UP-së But Dedajt, i cili thuhet se është mentori i ministres Hajdari për doktoraturën e saj.
Ndërsa Lipovica ishte nxënës i Besnik Bislimit në AUK, duke e vazhduar miqësinë edhe pas përfundimit të studimeve. Lipovica gjatë kohës së qeverisë Vetëvendosje ka pasur pozitat më të larta në MINT, nga U.D i sekretarit e tash U.D i kryeshefit të Agjencisë së Akreditimit. Lipovica është duke u vendosur në krye të këtij agjencioni me bekimin e Besnik Bislimit, që është zëvendëskryeministër.
Albanian Post merr vesh që ky konkurs i kundërligjshëm që është kurdisur për Dedajn, pasi që pozita që ai ka në MINT është Udhëheqës Divizioni në Departamentin e Tregtisë, por që kundërligjshëm është emëruar në KIESA kryeshef nga Rozeta Hajdari.
Kujtojmë se kryeshefat e Agjencioneve në MINT i përgjigjen ministres direkt dhe emërohet e shkarkohet nga ajo. Pozita e kryeshefit është e barasvlershme me pozitën e sekretarit dhe paga është afër 1500 euro, me ligjin e ri të pagave.
AP ka provuar të bisedojë me Dedajn, por ky i fundit ka thënë se është shumë i zënë në punë dhe nuk mund të flas, teksa e ka ndalur telefonin.
“Jam me një takim, jam shumë i zënë”, tha shkurtimisht Dedaj, kur është pyetur për këtë çështje këtë të mërkurë.
Dedaj është i i favorizuari i ministres Hajdari, meqë kjo e fundit kishte ndarë mbi 6 mijë euro nga buxheti i ministrisë për shkollimin e tij.
Sipas një raportimi të mediumit “Demokracia”, Dedaj ishte pjesë e grupit të këshilltarëve të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për ta ndjekur kursin online 3-javor në “HarvardKennedySchool”.
Ndërkaq para tetë dite, Albanian Post raporti se si Dedaj kishte aplikuar formalisht edhe për pozitën e Kryeshefit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, agjenci shtetërore kjo nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
Dedaj ishte vendosur aty vetëm sa për të plotësuar kushtin ligjor dhe për të vazhduar me procedua të përzgjedhjes, meqë në këtë pozitë në një konkurs të kurdisur parashihet të emërohet IrfanLipovica i cili është nën hetime për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore.
Në dokumentin që ka siguruar AP i datës 5 gusht 2024, njoftohej se “në listën e kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e përgjithshme e që vazhdojnë procedurën e mëtejme të rekrutimit për pozitën e punës ‘Drejtor i Përgjithshëm’ janë IrfanLipovica dhe ZefDedaj”.
Lipovica ishte arrestuar me 18 gusht të vitit të kaluar, bashkë edhe me zyrtarin tjetër Hafiz Garën dhe afaristin RidvanMuharremi.
Ai dhe Gara ishin arrestuar nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Për Lipovicën, në dosjen e Prokurorisë, thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Lipovica, me 25 shkurt 2022, siç sqaron dosja e tij në Prokurori, kishte adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”.
E gjithë kjo me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022.
Me këtë vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.
Prokuroria sqaronte se më pas, edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij komisioni për negocim me operatorin ekonomik “YafeTurizmInseatSanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e komisionit.
Sipas Prokurorisë, kjo i kishte mundësuar të pandehurit RidvanMuharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.
Siç dihet, nga veprimet kundërligjore të Lipovicës, buxheti i Kosovës ishte dëmtuar së paku 600 mijë euro, meqë pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur asnjëherë në Kosovë.