Dy deputetë pritet të largohen nga LVV-ja: Rrahmani e Korenica pjesë e koalicionit Lista për Familjen

Dy deputetët konservatorë të LVV-së në Kuvendin e Kosovës pritet ta braktisin partinë në pushtet.
SHFLETO

Eman Rrahmani

 

Armat Matoshi
30.09.2024 21:05
Loading Icons...

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës – Eman Rrahmani dhe Visar Korenica – që deri më tash kanë qenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, pritet të largohen nga ky subjekt politik dhe t’i bashkohen koalicionit Lista për Familjen të Aleancës Kosovare e Re (AKR) dhe Partisë së Drejtësisë (PD).

Kreu PD-së, Ferid Agani, duke folur në emër të deputetit Rrahmani, ka njoftuar se të martën (nesër, 1 tetor) do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp duke filluar nga ora 11:00 para hyrjes së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Largimi i deputetëve nga LVV-ja vjen pas mospajtimeve të deputetëve në fjalë për Kodin Civil.

Rrahmani dhe Korenica gjithashtu kanë kundërshtuar projektligjin për shëndetin riprodhues, duke thënë se angazhimi i tyre është për të mbrojtur institucionin e familjes. Në bazë të raportimeve të fundit të mediave, pjesë e ketij grupi konservator janë edhe deputetë të tjerë të LVV-së që mund t’i bashkohen Listës për Familjen.

Gjithashtu, ata kanë bërë thirrje për respektimin e normave në traditën e besimit islam, duke filluar nga lejimi i bartjes së shamisë apo hixhabit nga nxënëset në shkollat fillore dhe të mesme publike dhe për futjen e mësim-besimit në kurikulën shkollore.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta parlamentare janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt 2025. E ndërsa së shpejti pritet të hapet sezoni zgjedhor, problemet ekonomike, sfidat e sigurisë, marrëdhëniet me aleatët dhe procesi i dialogut me Serbinë tashmë janë bërë pjesë e pandashme e fushatës parazgjedhore të partive të mëdha politike në vend.