Kosova

DW: Kancelari Scholz në qershor viziton Kosovën dhe Serbinë


Sipas burimeve të Deutsche Welle në gjuhën serbe, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më 10 qershor do të arrijë për vizitë zyrtare në Serbi dhe Kosovë.

DW raporton se udhëtimi tenton të shndërrohet në një turne të vogël ballkanik me vizita në Tiranë dhe Shkup – ndoshta edhe në Sarajevë.

Mediumi në fjalë citon gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, i cili kishte raportuar në Twitter se Scholz do të vinte në Beograd më 10 qershor.

Më 4 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Scholz-in në Berlin e kishte ftuar këtë të fundit ta vizitonte Kosovën.

“Siç e tha Scholz, rreth 400 mijë kosovarë jetojnë në Gjermani. Ata janë urë mes dy vendeve tona. Shumë nga ta kanë shprehur interesimin për të investuar në Kosovë. Prandaj, e ftoj kancelarin për vizitë në Kosovë bashkë me një delegacion investitorësh. Kosova duhet të njihet edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Nga Kancelari Scholz kërkova që Gjermania ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave. Tash është koha të thuhet mjaftë është mjaftë”, pati thënë Kurti.

Më tej Kurti kishte bërë të ditur, se Kosova është mbështetëse e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal, e assesi iniciativave të cilat janë paralele.

“Procesi i Berlinit i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativat e tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore