Zgjedhjet në Kosovë

Dushi i LDK-së: Zgjedhjet në Dragash ishin të rregullta, zhurmë pa asnjë bazë


Florian Dushi, anëtar i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Florian Dushi anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kundërshtuar të gjitha ato që u thanë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për manipulim të votave në komunën e Dragashit.

Dushi theksoi se kjo që krijuan është “zhurmë pa asnjë bazë”.

“Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e PDK-së kishin ndërtuar një tregim, nga këndvështrimi i tyre, dhe për “hesape” të tyre politike dhe elektorale lidhur me procesin e votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit”, ka shkruar ai në Facebook

Duke thënë se procesi i zgjedhjeve në këtë komunë ka qenë i ngjashëm si në komunat e tjera.

“Zgjedhjet në Dragash nuk përbëjnë përjashtim, procesi zgjedhor për këtë komunë është i njëjtë, plotësisht i rregullt sikur në gjithë Kosovën”.

Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

Ai tutje ka bërë të ditur se votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë, duke i plotësuar të gjitha procedurat.

“Votuesit nga jashtë i janë nënshtruar procesit të paraparë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në përputhje të plotë, madje duke iu nënshtruar procesit paraprak të verifikimit nga ana e KQZ-së, me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së”.

Dushi, sqaroi se meqë janë ndjekur të gjitha procedurat në këtë komunë, LDK mbetet fituese.

“Prandaj, kjo e bënë fitoren e LDK-së në këtë Komunë plotësisht të rregullt dhe të ligjshme, ndryshe nga ato çfarë kemi dëgjuar këto ditë për procesin zgjedhor në këtë komunë e që përbëjnë spekulime të sponzoruara partiake, pa asnjë bazë dhe vetëm në një fazë të caktuar të zgjedhjeve lokale, vetëm në raundin e dytë”.

Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, të mërkurën ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me votat me postë në këtë komunë.

Reagimet e tilla nga PDK në Dragash, kanë ardhur pasi që sipas rezultatit të votave me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, është përmbysur rezultati, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë fituese.

PDK në Dragash ka deklaruar se disa nga votat me postë që kanë ardhur nga diaspora, janë të shkruara nga një dorë e vetme.

Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shaban Shabani, ka arritur të marrë gjithsejtë 50.21 për qind të votave të përgjithshme, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini, me gjithsejtë 49.79 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore