Kosova

Durmishi: Në rrugën Prizren-Tetovë kemi avancuar dhe jemi afër marrëveshjes për dy tunele me Malin e Zi


Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI), Hysen Durmishi.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI), Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se janë para finalizimit të një marrëveshje me Malin e Zi për dy tunele Deçan-Plavë.

Tutje ai shtoi se përparim kanë bërë edhe në ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

“Është bashkëpunim shumë i mirë me Shqipërinë, Maqedoninë veriore, Malin e Zi. Kemi edhe projekte të përbashkëta. Kemi avancuar shumë për rrugën Prizren-Tetovë dhe jemi para finalizimit të një marrëveshje me Malin e Zi për dy tunele Deçan-Plavë”, tha ai për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ndërsa, ka thënë se janë duke ndërmarrë masa sa i përket sinjalizimit horizontal dhe vertikal në mënyrë që të ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve.

“Me kontratat e mirëmbajtjes sidomos asaj investive do të intervenojmë në të gjitha këto rrugë kudo që ato janë të dëmtuara që të sanksionohen dhe rregullohen duke ndikuar në sigurinë rrugore”.

“Por edhe masat e tjera të cilat i kemi ndërmarrë për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara përmes stikersave dhe ndikojnë që automjetet e paregjistruara të mos dalin në komunikacion sepse shkaktojnë aksidente dhe probleme tjera”, tha Durmishi.

Rruga Prizren-Tetovë.

Durmishi, shtoi se që nga viti 2017 nuk ka pasur kontrata për sinjalizim të rrugëve, duke shtuar se kjo ka ndikuar që të ketë numër më të madh të aksidenteve në trafik.

Ndërsa, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Arsimit janë duke bërë fushata vetëdijësuese, që të gjithë pjesëmarrësit në trafik t’i respektojnë rregullat dhe të jenë më të kujdesshëm.

Kontrata të cilat janë nënshkruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe keqpërdorimit që kanë ndodhur zëvendësministri potencoi se i kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

“Të gjitha këto kanë të bëjnë me një punë shumë të madhe dhe të mirë që është duke u bërë në ministrinë tonë dhe sidomos denoncimi që i është bërë të gjitha atyre kontratave që janë nënshkruar në mënyrë të jashtëligjshme keqpërdorimet që kanë ndodhur ne kemi dorëzuar në Prokurori Speciale”.

“Shumë lëndë të cilat goditin një rrjet kriminal që ka ekzistuar në institucione në të kaluarën prandaj frika e tyre që do të përballen me drejtësinë i shtyn ata që të krijojnë situata të tilla dhe sulme ndaj nesh”.

Më 18 nëntor të 2021, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se rruga Prizren-Tetovë nuk e zhvendos nga prioritetet e tij autostradën Prishtinë-Pejë.

“Rruga Prishtinë-Pejë është prioritet i Qeverisë, projekti nuk është anuluar dhe do të vazhdojë menjëherë sa të kryhet rivlerësimi i shpronësimit”, kishte thënë Aliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore