Dumani: Do të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin
Brixhilda Xhuraj
08.07.2024 11:49Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, këtë të hënë të 8 korrikut ka zhvilluar një takim me gazetarët, ku është pyetur mbi çështjet e nxehta që po heton SPAK.
Në takim, Dumani ka deklaruar se SPAK do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë sa i takon dosjes së 21 janarit dhe do të ndiqet procedura normale.
Kreu i SPAK ka nënvizuar se do të ketë nevojë për koordinim me prokurorinë e Tiranës.
Javën e shkuar Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e saj të plotë sa i takon çështjes së 21 janarit, ku ka kërkuar që të rihetohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Më parë, SPAK pati vendosur të mos regjistronte procedim për 21 janarin, por familjarët e viktimave e ankimuan këtë vendim dhe e kundërshtuan SPAK-un.
Më 29 mars 2023, ishte Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ajo e cila vendosi mospranimin e kërkesës së familjarëve dhe dhënien e të drejtës për SPAK që të mos e merrte përsipër dosjen.
Më 22 qershor 2023, ishte Apeli i GJKKO-së, i cili la në fuqi këtë vendim dhe rrëzoi ankimin e familjarëve.
Por, Gjykata e Lartë, ka qenë e prerë, duke vendosur pro familjarëve të viktimave.