Kosova

Duke kujtuar ushtarët shqiptarë të sjellë në arkivole nga APJ-ja, të rinjtë e Luginës do refuzojnë shërbimin ushtarak


Një nga parullat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës gjatë protestës në Bujanoc, në gusht.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës do ta refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi, kanë thënë liderët politikë të shqiptarëve atje, të cilët kanë rikujtuar kohën kur të rinjtë shqiptarë ktheheshin në arkivole nga ushtria jugosllave, që ishin të detyruar të shkonin në bazë të ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ish-Jugosllavi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar të shtunën se si komandat suprem i ushtrisë serbe ka nënshkruar pëlqimin për kryerjen e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.

“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë atë vendim. Dua të besoj se të gjithë e kuptoni se sa shumë na duhet një ushtri e fortë, sa më shumë do të na duhet të blejmë armë, të bëjmë, të krijojmë”, tha Vuçiç në promovimin e nëntogerëve më të rinj të ushtrisë serbe.

Ky vendim e afekton edhe komunitetin shqiptar që jeton atje, në masë më të madhe në jug të Serbisë, e të cilët janë të shtypur sistematikisht nga regjimi serb, duke ua mohuar të drejtat elementare, siç është përdorimi i flamurit kombëtar.

Por, vendimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk do të has në përgjigje pozitive nga të rinjtë shqiptarë. Do të refuzohet.

Kështu të paktën kanë thënë liderët politikë shqiptarë atje; Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, dhe Arbër Pajaziti, Kryetar i Komunës së Bujanocit, për Albanian Post.

Pajaziti shprehet i bindur se të rinjtë shqiptarë do të refuzojnë kategorikisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe për këtë ai thotë se kanë shumë arsye.

“Akoma janë të freskëta kujtimet kur të rinjtë shqiptarë ktheheshin në arkivole nga APJ-ja, pastaj një ushtri e tillë ka kryer krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kështu që nuk ka aspak mirëbesim në raportet shqiptarë-ushtri”, rikujton Pajaziti në një prononcim për AP.

Kthimi i ushtarëve shqiptarë në arkivole të mbyllura hermetikisht nga ish-Armata Popullore Jugosllave (APJ), ka qenë një nga ngjarjet më të rënda për shqiptarët dhe që është përsëritur shpesh gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Vrasja e ushtarëve shqiptarë ishte shpeshtuar sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Në atë vit, shtatë ka qenë numri i ushtarëve shqiptarë janë kthyer në arkivole.

Por, si fenomen ka filluar shumë më herët. Rastet e para janë regjistruar që nga vitit 1951.

Në Këshillin për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut nga viti 1981 kanë arritur të regjistrojnë gjithsejtë 68 raste, por që kanë theksuar se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Pavarësisht që të gjithë ushtarëve pas vrasjes u bëhej autopsia, asnjë familjeje nuk u është dhënë një dokument zyrtar mbi rezultatin e autopsisë.

Por, edhe po të ishin këto gjëra në rregull, Pajaziti potencon se vet pengesa e shtetit për t’i inkuadruar shqiptarët e Luginës në institucione tjera “do të ishte pengesë për inkuadrim në ushtri apo për të kryer shërbimin ushtarak”.

“Në këtë rrafsh, edhe ne si përfaqësues politik jemi kundër rekrutimit të të rinjve shqiptarë dhe do t’i bëjmë thirrje atyre që mos t’i përgjigjen pozitivisht ftesave”, tregon i pari i Bujanocit për AP.

Arbër Pajaziti

Në të njëjtën linjë është edhe ish-kreu i KKSH-së, Ragmi Mustafi. S’ka asnjë mëdyshje që do të refuzohet nga të rinjtë shqiptarë dhe kjo “si kundërpërgjigje ndaj mendësisë e të rikthyerit në të kaluarën e përgjakshme”.

“Në vend që të kultivojë fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin rajonal, ndërmerr veprime luftënxitëse. Në vend të paqes e drejtësisë, paralajmëron rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm pushteti i Vuçiç-it”, thotë Mustafi për AP.

Të rinjtë shqiptarë të Luginës, në prizmin e tij, nuk mund dhe nuk duhet të pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak në Serbi, dhe për këtë ai ka shumë arsye.

“Si mund të flasim për shërbim ushtarak në një shtet ku diskriminimi ndaj shqiptarëve është i rrënjosur? Kjo është një situatë që nuk ka lidhje me detyrim ligjor, por me një parim bazë të dinjitetit dhe respektit për të drejtat tona”.

“Në një shtet ku shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, ku ka një histori tmerrshme diskriminimi, nuk mund të kërkohet nga të rinjtë tanë që të vënë jetën dhe të ardhmen e tyre në duart e atyre që nuk i njohin as këto të drejta”.

Prandaj, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, potencon se të rinjtë shqiptarë, në këto kushte, “nuk kanë asnjë garanci për sigurinë e tyre”.

“Kjo çështje vetëm sa do të acaronte situatën tashmë të brishtë në Luginë. Kryerja e shërbimit ushtarak nga të rinjtë shqiptarë, nën këto kushte, do të shënonte një përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike dhe një rritje të tensioneve. Ne nuk mund ta lejojmë që një politikë e tillë të vendosë mbi fatin e të rinjve tanë”, vlerëson.

Ragmi Mustafi

Përpara se të diskutohet për shërbim ushtarak, Serbia, sipas Mustafit, duhet të sigurojë një gjë të thjeshtë: të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë.

“Pa barazi, pa drejtësi, pa respekt, pa të drejta të garantuara, nuk ka vend për asgjë. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që rinia jonë të përballet me një padrejtësi të tillë”.

Kundërshtim ndaj këtij vendimi të presidentit serb ka shprehur edhe Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka thënë se rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Serbi do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

E para e Preshevës ka theksuar se kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit.

“Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviç-it synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit”, shkroi.

Sot, sipas Sinanit, historia rrezikon të përsëritet.

“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, potencoi.

Një ditë para se Vuçiç të nënshkruante vendimin, kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, tha se qeveria që ai drejton është gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.

“Më 2025, kur të arrihet kushtet administrative dhe logjistike, ne do të nisim [me shërbimin ushtarak]”, tha Vuçeviç.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte hequr më 1 janar 2011, duke e lënë në dëshirën e secilit që do të shkojë vullnetarisht në ushtri.

Ndryshe, shqiptarët që jetojnë në Serbi përbëjnë komunitetin më të shtypur në Ballkan dhe jo vetëm. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.

Kur shqiptarëve u pasivizohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai ose ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.

Rrjedhimisht, shqiptarët nuk gëzojnë të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojnë makinën, nuk mund të blejnë apo shesin pronën dhe nuk mund të votojnë në procesin zgjedhor.

Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet, dhe kanë paralajmëruar një tjetër në Preshevë.

Pas protestës në Bujanoc janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi” e të ngjashme, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë, por jo nga autoritetet serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore