Shqipëria

Duhet ndryshuar rregullorja e Kuvendit për komisionet hetimore, sipas Ballës


Kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla në një deklaratë për mediat pas Konferencës së Kryetarëve theksoi se “asnjë shkresë e firmosur nga non-grata nuk merret parasysh”, referuar kryedemokratit Sali Berisha.

“Ajo kërkesë, ajo letër nuk merret parasysh, pra në aspektin formal kërkesa nuk mund të shqyrtohet sa kohë gjendet nënshkrimi i këtij personi. Në këto dy vite më është dashur të refuzoj një personalitet si Simon Miraka se ishte me firmën e non gratës, edhe kërkesa të tjera duhen refuzuar me patjetër”, thekoi socialisti.

Balla kërkoi që Kuvendi të adresojë në mënyrë urgjente të gjitha vendimet e Kushtetueses në 20 vitet e fundit.

“Kuvendi duhet të respektojë vendimet e gjykatës kushtetuese. Rregullorja e Kuvendit ka nevojë për ndryshime. Në mënyrë urgjente ne do kemi mundësinë të ndryshojmë ligjin për komisionet hetimore”.

Ai foli dhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ku theksoi se duhet sa më shpejt që Shqipëria të ketë një të tillë.

Gjithashtu ftoi të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për Avokatin e Popullit ndërsa shtoi se opozita e pati kohën për të bërë propozime.

Balla tha ndër të tjersa se po vonon miratimi i ndryshimeve ligjore që ndalojnë ish spiunët të jenë në politikë për shkak se Partia Demokratike nuk po tregon gatishmërinë që i takon.

“14 maji po afron dhe do të ishte e papranueshme që në listët e kandidatëve të ishte edhe bashkëpunëtori i.M apo me iniciale të tjera, apo në 2025-n anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Ne këtë gjë duhet ta pengojmë sa më shpejt. Janë ndërhyrje ligjore që kërkojnë 3/5. Dhe më bën përshtypje se këtë gjë e pengon Partia Demokratike. Ose nuk ka shfaqur gatishmërinë e duhur për të kontribuar për miratimin e këtij ligji”.

Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku fill pas ballës tha se ka kërkuar që seanca plenare që zgjasin në Kuvend të evitohen dhe mos të kthehen në noteri për qeverinë.

“Parlamenti duhet të ketë një rregullsi nuk mund të kthehet në noter të qeverisë. Kërkova që të evitohen seancat që zgjasin. Duhet të jetë në funksion të punë së deputeteve dhe jo në funksion të punës së qeverisë. Ne nuk mundet që të diskutojmë ato që ka prioritet qeveria, por ato që kanë parlamenti dhe qeveritarët”.

Për sa u përket ndryshimeve ligjore që ndalojnë ish- spiunët të jenë në politikë, Tabaku tha se propozuan paketë për pastërtinë e figurave ndërsa PS ka hall me një individ të veçantë duke iu referuar Ilir Metës.

“Dua t’ju informoj se u diskutua edhe ligji për pastërtinë e figurave. PD ka propozuar një paketë ligjore për pastërtinë e figurave. Ne nuk merremi me individë të veçantë. Unë nuk di që PD drejton komisionin e ligjeve apo Kuvendin e Shqipërisë.  Se çfarë halli ka Balla me një individ të veçantë të bëjë çfarë të dojë. Kjo është çështje parimesh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore