Shqipëria

Duhet doza e tretë? Pipero shpjegon situatën për Albanian Post


Grupi studimor, i ngritur nga Akademia e Shkencave mbi studimin e gjendjes imunitare ndaj virusit COVID-19 në Shqipëri, ka arritur në përfundimin se “mbi 73% e popullsisë është e imunizuar deri më tani”.

Po ashtu, studiuesit sugjeruan “marrjen e njё doze pёrforcuese te moshat mbi 60 vjeç, si dhe tek ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese”.

Mirëpo, vendimi përfundimtar i takon Komitetit të Ekspertëve të Imunizimit dhe Vaksinimit.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi në qendrën e vaksinimit në fakultetin e ekonomisë, të dielën e 19 shtatorit.

 “Ne kemi ekspertët tanë, të cilët vendosin apo rekomandojnë dozat e treta të vaksinave”, tha ajo.

Ndërkohë, për Albanian Post, mjeku infeksionist, Pёllumb Pipero, thotë se “aplikimi i dozave rikujtuese tё imunitetit nuk ёshtё njё praktikё e re. Pёrkundrazi, nё pandemi ёshtё edhe rekomandim i fortё dhe plot kuptim”.

Sipas tij, Komiteti i Ekspertëve duhet ta marrё nё konsideratё si njё mundёsi pёr Shqipërinë.

“Megjithëse, emergjencё te ne ёshtё vaksinimi i moshave të reja, mbi 18, tё cilat janё jo vetёm mё shumё të ekspozuara, por dhe mё neglizhente ndaj vaksinimit”, i bën Pipero thirrje Komitetit, “të ketë në përparësi edhe një dozë përforcuese”.

Lidhur me qasjen për aplikim të dozës përforcuese, në një kategori të caktuar, Pipero përgjigjet se e sheh “si të arsyeshme aplikimin e dozës përforcuese te moshat mbi 65 vjeç”.

Kjo, sipas tij, pasi kjo kategori ka më shpesh sëmundje bashkëshoqëruese dhe jep përgjithësisht “përgjigje imunitare jo të menjëhershme”.

Në përmbyllje, ai liston gjithashtu si kategori me përparësi për doza përforcuese edhe personat me sёmundje kronike imunodeprimuese, apo personat me transplant tё organeve.

Një studente duke marrë dozën e vaksinës anti-COVID, në një qendër vaksinimi në Shqipëri, 19.09.2021
Inokulimi i dozës përforcuese në botë

Në disa shtete, si Izraeli, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të kanë filluar tashmë aplikimin e një doze përforcuese, te personat më të rrezikuar.

Bashkimi Evropian gjithashtu po merr në konsideratë edhe dozimin e tretë.

Izraeli, madje, po sheh edhe mundësinë e një doze të katërt dhe po sigurohet për ekzistencën e furnizimeve të mjaftueshëm me vaksina, në rast se nevojitet raundi në fjalë.

Deri më tani, shteti ka vaksinuar rreth 2.8 milionë njerëz me dozën e tretë.

Por, zyrtarët shëndetësorë izraelitë mbrojnë tezën e një doze përforcuese.

Sipas tyre, efektet e dozave fillestare dobësohen pesë muaj pas vaksinimit.

Një burrë izraelit duke marrë një dozë përforcuese të vaksinës së coronavirusit nga një profesionist mjekësor, 30 gusht 2021.

Megjithatë, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, javën e kaluar tha se “qeveritë duhet të presin të paktën deri në fund të këtij viti për inokulimin me doza përforcuese”.

Këtë ai e arsyetoi me rëndësinë e dhënies së përparësisë për doza.

Sipas Adhanom Ghebreyesus, kjo do të ndihmonte shtetet më pak të zhvilluara, të cilat për arsye ekonomike nuk kanë arritur dot të sigurojnë mjaftueshëm vaksina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore